Qyteti pa makinën time, aktiviteti që bllokon sot rrugët e Tiranës
“Qyteti pa makinën time". Ky është aktiviteti që do të zhvillohet sot në Tiranë nga Komiteti Olimpik Shqiptar, Federata e Çiklizmit, nën kujdesin e zonjës Liri Berisha. Në këtë aktivitet, nxënësit e shkollave të mesme do të përshkojnë me biçikleta itinerarin nga Sheshi "Nënë Tereza" deri tek Stacioni i Trenit dhe kthim. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, nga ora 10:00 deri në 11:00, në bulevardet "Dëshmorët e Kombit" dhe "Zogu i Parë" nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve. Ndërkohë, bëhet e ditur se në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtij aktiviteti. “Duke filluar nga ora 09.30 dhe deri në përfundim të tij, do të ndalohet qarkullimi i lëvizjes së automjeteve në segmentet rrugore të shtrirë përgjatë Sheshit ”Nënë Tereza”, bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”, Sheshi ”Skënderbej”, bulevardi ”Zogu i I” dhe kthimi nga Stacioni i Rrenit deri në Sheshin ”Nënë Tereza”,- bëhet e ditur nga burime të Komitetit Olimpik Shqiptar.