Dinamo e Muçës “humb” me gola ndaj Sejdinit

Bledar KUKA – Dinamo e Shkëlqim Muçës e ka humbur hapin javët e fundit dhe në një krahasim mes skuadrave të viteve 2002, 2008 e 2010, mbetet prapa kampionëve të Farruk Sejdinit, për efekt golaverazhi, pas 24 javësh kampionat. Me humbjen 3-4 në Korçë, ndaj Skënderbeut, kryesuesja nuk ka asnjë problem të qëndrojë tejet e shkëputur në krye të klasifikimit, por është mbërritur nga kampionia e vitit 2002, duke pasur secila nga 57 pikë pas të njëjtave javë të luajtura.
Ajo Dinamo e sezonit të paharrueshëm 2001-2002 (që rivalizonte me Tiranën e drejtuar pikërisht nga Shkëlqim Muça), është më lart se kjo e sotmja në golaverazhin e saj. Blutë e asaj kohe kishin shënuar më shumë gola sesa këta të sotmit (52 ndaj 43) si dhe kishin pësuar më pak, vetëm 14 ndaj 22 të pësuara në këtë kampionat. Si rrjedhojë, “xhaxhi” e kalon Muçën, duke pasur golaverazhin tepër pozitiv, me plus 38 gola, ndërsa Dinamo e sotme e ka “vetëm” plus 21.
Nëse krahasimi vazhdon me sezonin 2007-2008, tjetër vit kur Dinamo u shpall kampione, shihet se edhe më 2002 edhe më 2010, ekipet kanë qenë më lart në aspektin e pikëve të fituara. Ndërsa më 2002, “xhaxhi” kishte fituar 17 ndeshje, barazuar 6 dhe humbur vetëm 1, më 2008, ai ekip kishte humbur plot 4 ndeshje, barazuar 6 dhe fituar 14. Skuadra e Muçës ka 3 humbje, duke qenë në këtë aspekt më keq sesa Sejdini, por më lart se ekipi që fitoi titullin me Ilir Dajën.
Duke vazhduar me 2008-ën, blutë shënuan pak gola, vetëm 39, por pësuan jashtëzakonisht pak, vetëm 9, një nga rekordet e të gjithë kampionateve të viteve të fundit, gjithnjë duke marrë si krahasim zhvillimin e vetëm 24 javëve, jo të krejt kampionatit.
Krahasimi mes 2010-ës dhe 2002-it, mund të vazhdojë edhe për dy javët e ardhshme, sepse kampionatit I para 8 sezoneve u luajt në formulën klasike me 14 skuadra dhe me 26 javë gjithsej ( dy faza). Ky kampionat, ashtu si ai I 2008-ës, po luhet me 12 skuadra, me 3 faza dhe gjithsej 33 javë, ndaj krahasimi mund të vazhdohet mes të tanishmit dhe atij të dy sezoneve më parë.
“Çimi”, rekordi i mbijetesës në stol
Zhoze Murinjo u shpreh disa javë më parë se “të përfundosh sot një sezon të plotë si trajner I një ekipi, do të thotë të jesh hero, jo trajner”. Shkëlqim Muça e ka, thuajse, të sigurt që do ta përfundojë këtë sezon në krye të bluve, ndërsa në klub përflitet edhe mundësia e rinovimit mes palëve edhe për sezonin tjetër. Vetë fakti që skuadra ka ecur me hap të sigurt në kampionat dhe po shkon drejt titullit e rëndon peshoren në favor të ish-trajnerit të Tiranës.
Por Muça ka edhe një element tjetër në favorin e tij, atë që është I vetmi trajner që Dinamo 2009-2010 ka pasur dhe ka në stol. Duke vazhduar krahasimet mes 2002-in dhe 2008-ën, shikojmë se Farruk Sejdini, trajneri që u shpall kampion 8 vjet më parë, zëvendësoi Astrit Hafizin në stol, në javën e 7-të, pasi ky I fundit barazoi 1-1 në Tiranë me Tomorin e Beratit. Gjithashtu, Ilir Daja zëvendësoi Agim Canajn më 23 shkurt 2008, pas javës së 21-të, kur Dinamo u mund 1-0 nga Partizani (gol I Gjergji Muzakës, sot tek Tirana).
Pra, nga 5 trajnerë të përfshirë në 3 sezonet blu me tituj të fituar, Muça mban numrin më të lartë të ndeshjeve (deri javën 24), me 24 të tilla. Sejdini zhvilloi 19 ndeshje, Canaj 21, Hafizi 5, ndërsa Daja vetëm 3 deri në javën e 24-ët, ndërsa deri në fund të kampionatit ai qe në krye të ekipit për 12 javë.
“Xhaxhi”, I vetmi pa asnjë humbje
Është, ama, një element I krahasimit, kur Farruk Sejdini, qëndron përmbi të gjithë këta trajnerë të tjerë. Më 3 nëntor 2001, ai u ul për të disatën herë në stolin dinamovit dhe me barazimin 1-1 në fushën e Teutës në Durrës, nisi një seri prej 15 fitores e 4 barazimesh, që do ta çonte Dinamon tek titulli, ndërsa më parë ishte shumë e shkëputur nga kreu që zihej nga Tirana e Partizani. Muça I ka provuar deri tani 3 humbje, Hafizi provoi 1, Canaj 2 dhe Daja 1.
Sejdini, me përqindjen më të mirë
Me 86 për qind të pikëve, Farruk Sejdini zë “kryet e vendit” ndër të 5 trajnerët që janë në krahasimin tonë. “Xhaxhi” humbi vetëm 8 nga 57 pikët e mundshme në 2001-2002, ndërsa Shkëlqim Muça është gjithashtu në përqindje mjaft të mirë, me 79.2 për qind të pikëve të fituara (57 pikë ndaj 72). Ndërsa Canaj e Daja janë pranë e pranë, përkatësisht 68.3 e 66.7 për qind, renditjen e mbyll Hafizi me vetëm 53.3 për qind. Ai fitoi vetëm 2 ndeshje nga 5 që drejtoi ekipin blu.
Krahasimi pas 24 javësh
Dinamo 2001-2002
17 fitore, 6 barazime, 1 humbje, golat: 52-14 (+38), 57 pikë
Dinamo 2007-2008
14, 6, 4, golat: 36-9 (+27), 48 pikë
Dinamo 2009-2010
18 fitore, 3 barazime, 3 humbje, golat: 43-22 (+21), 57 pikë
Përqindja e pikëve deri në javën 24
Astrit Hafizi 53.3% (2f-2b-1h)
Farruk Sejdini 86% (15-4-0)
Agim Canaj 68.3% (12-7-2)
Ilir Daja 66.7% (2-0-1)
Shkëlqim Muça 79.2% (18-3-3)
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 23 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili