Dinamo, ekipi pa shumë rivalitet
Skuadra e bluve tani për tani po përjeton një moment jo shumë të mirë. Kjo për vetë faktin që në këtë ekip mungojnë lojtarët me eksperiencë. Numri i këtyre të fundit mund të themi se nuk e kalon 12-ën. Mungesa e futbollistëve të tillë është ndjerë edhe në dy ndeshjet me CSKA-në e Sofjes. Po të mbajmë mend takimin e kthimit, që u luajt në Bullgari, trajneri i bluve, Faruk Sejdini, nuk bëri qoftë edhe një zëvendësim të vetëm. Arsyeja ishte se nuk mund t'i vinte lojtarët e rinj para një përgjegjësie të tillë dhe gjithashtu kishte mungesa të futbollistëve me eksperiencë. Një fakt i tillë bën që brenda këtij ekipi të mos ketë thuajse asnjë rivalitet, për 11-shen bazë. Gjithashtu, nëse do të kishte dëmtime të dy ose më shumë lojtarëve apo largime, kjo skuadër do të futej në një gjendje të vështirë. Megjithëse deri tani janë bërë disa tentativa për të forcuar sadopak ekipin, ato kanë dështuar. Të mos largohemi më shumë, por të kujtojmë dy dështimet e tentativave të drejtuesve për të pasur mbrojtësit e kombëtares, Endri Vrapi dhe Tefik Osmani. Administratori i Dinamos, Ismet Saliu, shprehet se deri tani drejtuesit kanë bërë disa tentativa, të cilat nuk u realizuan, dhe në këto memente ata po vënë nën "shënjestër" lojtarë të tjerë. Por një gjë e tillë duhet bërë sa më shpejt dhe nuk duhet nënvlerësuar. Megjithëse është akoma fillimi i merkatos, nuk do të thotë se ka shumë kohë, janë vetëm tri javë nga fillimi i kampionatit. Nëse do të bëheshin blerjet në ditët e fundit, bluve do t'u lindnin vështirësi, sepse një futbollist që bëhet pjesë e një ekipi duhet të paktën të njohë skuadrën dhe të shohë se si do të mund të ingranohet më mirë, por një gjë e tillë do kohë. Për këtë arsye duhet që sa më shpejt të bëhen përforcime të reja.
Po ta kthejmë kokën pas, në kampionatet e shkuara blutë gjithmonë kanë pasur probleme në fillim të kampionatit, por më vonë kanë arritur që ta marrin veten dhe në fund të dalin mirë; ky është edhe shkaku i marrjes së pseudonimit "nëndetëse". Nëse do të shikojmë pak në fjalët e urta të popullit tonë, do të vemë re se gjendet dicka që thotë: "Fillimi i mbarë është gjysma e punës". Nëse nuk do të bëhen hapa të shpejtë për të bërë një skuadër sa më të qëndrueshme, atëherë, këtë vit do të jetë e vështirë për kryeqytetasit të arrijnë të bëjnë përpara.
Trajneri dinamovit, Faruk Sejdini, është shprehur se ekipi ka nevojë edhe për tre përforcime me eksperiencë, që të arrijnë të vënë pak rivalitet mes lojtarëve. Në miqësoren e para dy ditëve ndaj Kastriotit, blutë luajtën me ekipin e dytë, sepse Sejdini donte të shikonte dhe të kishte një ide më të mirë për lojatrët që ka në dispozicion, për të shtuar rivalitetin në skuadër.
Po të shohim me kujdes edhe skuadrat e tjera, për shembull Tiranën, do të vëmë re se ka brenda saj një 11-she të dytë, mjaft të fortë, ku të gjithë mund të zënë një vend në formacionin bazë. Ta fillojmë që nga porta e kësaj skuadre: Nallbani dhe Hidi janë dyshja që gjithmonë "hahen" me njëri-tjetrin për një vend në formacion. Nëse edhe një gjë e tillë do të ndodhë te Dinamo, atëherë mund të themi se te blutë është krijuar ekip që është vështirë ta përballosh. Nuk po vëmë në diskutim aftësitë e "nëndetëses", por asaj i duhen të tjerë futbollistë që ta bëjnë një skuadër akoma më rivalizuese se sa është.
Pra, ishte mungesa e futbollistëve me eksperiencë, që nuk e bëri edhe më të fortë rivalitetin në skuadër, ajo që ndikoi më shumë në eleminimin e shpejtë të Dinamos në Kupën UEFA. Tashmë Europa është harruar dhe mbetet për t'i hedhur sytë nga kampionati. Arritja e një suksesi kërkon themele të forta dhe këto i forcojnë vetëm lojtarët më cilësorë dhe me eksperiencë.
Saliu: Synojmë Qorrin dhe Qosen
Dinamo duket se i ka vënë syrin dy lojtarëve të tjerë për t'u forcuar. Administratori Ismet Saliu, në një prononcim për gazetën "Sporti shqiptar" ka bërë të ditur se te blutë priten të bëhen përforcime në disa reparte. Për momentin bëhen të ditur vetëm dy emra. I pari është sulmuesi elbasanas Ilir Qorri dhe i dyti mesfushori korcar Rigels Qosja, që sezonin e kaluar u aktivizua në radhët e të kuqve. Qorri deri më tani është te skuadra e Elbasanit, ku nga kjo e fundit po largohen gati të gjithë titullarët dhe një largim i tij është mëse i mundshëm. "Tani jemi në një kohë që po shikojmë për afrimin e disa lojtarëve. Pas Vrapit dhe Osmanit, me të cilët nuk mundëm të binim dakord, do të shikojmë për të tjerë futbollistë cilësorë. Lojtarët që kemi si synim për momentin janë Qorri dhe Qosja," - tha Saliu.
Në lidhje me Qosen, duket se është më e lehtë për t'u arritur marrëveshja, pasi është pa ekip dhe ndoshta do ta pranojë ofertën që do t'i bëjë Dinamo. Rigels Qosja vjet luajti me Partizanin, ndërsa nuk u paraqit në kupën Intertoto. Dy lojtarët e sipërpërmendur, ende nuk dihet nëse do të jenë të gatshëm të vishen blu.
Poci del në stërvitje
Mesfushori Dinamovit, Artion Poci, ka dy ditë që po del në stërvitje. Deri tani mesfushori ka qënë pushim absolut, nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen e parë të Kupës UEFA ndaj CSKA-së së Sofjes. Poci nuk mundi të luante më shumë se 18 minuta pas përplasjes me një nga lojtarët bullgarë. Fieraku dëmtohet dhe nuk arrin të luajë as në ndeshjen e kthimit. Dëmtimi në rrëzën e kofshëve duket se është drejt rikuperimit. Poci po ndjek një program stërvitor individual, që mendohet të zgjasë rreth një javë. Nëse do të jetë në gjendje të mirë, atëherë shumë shpejt do t'i bashkohet shokëve në stërvitjen e përbashkët.
Arber Hoxha
Sporti Shqiptar