Kuqezinjtë, titullarë në mes të katër rrugëve

Legjionarët e kombëtares shqiptare duket se nuk do ta nisin mirë këtë sezon të ri futbollistik. Në prag të takimit me San Marinon, legjionarët kuqezinj nuk janë të gjithë të sistemuar nëpër klubet europiane. Shumica e lojtarëve kanë gjetur nga një skuadër dhe luajnë nëpër kategoritë e para dhe të dyta të Italisë, Francës, Gjermanisë, Ukrainës, Greqisë, Qipros dhe disa shteteve të tjera. Ndërkohë shqetësues është fakti se 5 lojtarët titullarë të kombëtares tonë ende nuk kanë gjetur ndonjë sistemim për të qënë, ndonëse shumica e kampionateve tashmë ka filluar ose do të fillojë së shpejti. Me San Mario dhe Bjellorusinë tek dera, kjo është gjendja e kuqezinjve.
Të stabilizuar janë tashmë në Ukraninë, Curri, Dallku, Beqiri dhe Shkëmbi, ndonëse ky i fundit nuk është se ka luajtur shumë këtë sezon. Beqiri, sezonin e fundit ka luajtur në Izrael dhe vetëm para disa ditësh është kthyer te Metalurg Donetsk.
Në kampionatin grek, ata që i kanë rezistuar konkurencës janë Alban Bushi dhe Altin Haxhi. "Loku" ka lënë Levadhiakosin dhe ka firmosur për Apollon Kallamarianë. Nga ky ekip është larguar Haxhi, që ka firmosur për Ergotelisin. Eshtë larguar përfundimisht nga Greqia, Arjan Beqaj, që ka kaluar në Qipro dhe ka firmosur për Anothorsosin. Në Itali, Erion Bogdani vazhdon të qëndrojë te Siena, dhe Igli Tare te Lacio.
Në Gjermani aktualisht me ekip janë Altin Lala, kapiten i Hanoverit. Edmond Kapllani vazhdon të luajë në Bundesligën 2, së bashku me Mehmet Dragushën të Paderborni, ndërkohë që Bekim Kastrati luan te Hamburgut. Në Francë, Lorik Cana mbetet një nga lojtarët bazë të Olimpik Marsejës. Në Zvicër i vetmi legjionar është Ansi Agolli, që para pak ditësh ka firmosur me Lucernën. Dhe në fund Redi Jupi. Tiranasi vazhdon të jetë tek Diarbakirspori edhe pse ai është shprehur se nuk do të qëndrojë në këtë skuadër, por do të kërkojë fatin diku tjetër.
Gjithsesi, nga 17 lojtarë legjionarë, që aktualisht kanë ekip, vetëm 6 7 prej tyre luajnë si titullarë në kombëtare dhe kanë qenë boshti kryesor i saj. Të tjerët janë grumbulluar shumë herë, por ndeshjet i kanë nisur si zëvendësues apo nuk kanë luajtur fare.
Lojtarët pa ekip, problemi shqetësues
Edhe pse shumica e lojtarëve shqiptarë që luajnë në Europë, kanë ekip, pjesa tjetër dhe që mban peshën në skuadër, janë në mes të katër rrugëve. Në këtë grup bëjnë pjesë 4 lojtarë që nuk janë dosido për skuadrën tonë të varfër me talente. Të paktën deri tani, Ervin Skela nuk ka ekip dhe në merkato nuk mbetet emri më i lakuar. Dhe vlonjati nuk është ndonjë lojtar dosido. Nga këmbët e tij niset cdo aksion i kuqezinjve. Aktualisht, Skela zhvillon stërvitjen me një ekip të Bundesligës 2, por pa ndonjë qëllim të qartë, nëse do të qëndrojë në Gjermani apo jo. Pa skuadër është Edvin Murati. Pasi është larguar nga Iraklisi, dje i ka thënë përfundimisht "jo" edhe Apollon Kallamariasë.
Ai që ka luajtur me Brest sezonin e kaluar, por që aktualisht nuk i dihet as nami as nishani është Adrian Aliaj, për të cilin gjithashtu, nuk dihet se ku do të luajë këtë sezon. Edhe Florian Myrtaj që sezonin e shkuar ka luajtur në Serinë B dhe C të Italisë nuk rezulton se ka ka gjetur skuadër.
Pra, shihet qartë gjendja e ekipit tonë. Ndonëse shumica ka ekip, disa prej titullarëve vazhdojnë të shtegtojnë nga një vend në tjetrin për të gjetur ndonjë ekip, sa për të futur këmbët. Dhe tri ndeshjet e kombëtares janë tek porta. Të shohim se cdo të sajojë Barici, trajneri i kombëtares shqiptare.
Kuqezinjtë, aktualisht me ekip
1. Arjan BEQAJ Anorthosit (K1)
2. Elvin BEQIRI Metalurg Donetsk(K1)
3. Armend DALLKU Volska Potlava (K1)
4. Debatik CURRI Volska Potlava (K1)
5. Altin LALA Hanover (K1)
6. Lorik CANA Olimpik Marsejë (K1)
7. Besnik HASI Lokeren (K1)
8. Altin HAXHI Ergotelis (K1)
9. Mehmet DRAGUSHA Paderborn (K2)
10.Bledi SHKEMBI Metalurg Zaporizhja (K1)
11.Ansi AGOLLI Lucernë (K1)
12.Igli TARE Lacio (K1)
13.Erion BOGDANI Siena (K1)
14.Redi JUPI Diabakirspor (K2)
15.Alban BUSHI Apollon Kallamaria (K1)
16.Edmond KAPLLANI Karlsruhe (K2)
17.Bekim KASTRATI Hamburg (K1)
Lojtarët që nuk kanë skuadër
1. Ervin SKELA Pa ekip
2. Edvin MURATI Pa ekip
3. Florian MYRTAJ Pa ekip
4. Adrian ALIAJ Pa ekip
Nga Olsi Avdiaj
Sporti Shqiptar