Henri Ndreka: Unë, përjetësisht "dem i kuq"
"Kurrë nuk thuhet kurrë"! Kjo thënie vlen edhe për futbollistët, që sot luajnë me një skuadër e nesër, atje ku s'ta pret mendja. Henri Ndreka u rikthye te Partizani, u rikthye te skuadra që u rrit e u bë i njohur si futbollist. Ndoshta Ndreka nuk e kishte menduar një vit më parë, në përfundim të sezonit 2005-2006, pas "divorcit" me të kuqtë, se do të bashkohej përsëri me disa nga shokët e tij të vjetër. Mirëpo situatat ndryshojnë në mënyrë të papritur dhe ndonjë problem i kaluar hidhet pas krahëve, për t'i lënë vend suksesit të së ardhmes. Arritja e marrëveshjes me presidentin Xhani, pas ndarjes së papritur me Vllazninë, e ka bërë shumë të lumtur futbollistin lezhian, që deklaron se nuk e sheh veten jashtë Partizanit edhe në të ardhmen. "Ndihem shumë i lumtur që do të kontriboj përsëri për këtë skuadër. Këtu jam rritur si futbollist dhe kam kujtime të shumta. Kam provuar të luaj edhe me skuadra të tjera në kampionatin tonë, por askund nuk jam ndier si te Partizani. Më vjen keq që ndarja me Vllazninë nuk qe e këndshme, por kur mendoj se jam rikthyer në shtëpi, i harroj të gjitha. Tani që jam rikthyer mund të më konsideroni përjetësisht "dem të kuq","- është shprehur i entuziazmuar Henri Ndreka.
Vlerësimet për futbollistin lezhian vijnë edhe nga presidenca e kuqe. Madje Xhani fliste me superlativa për Ndrekën edhe gjatë sezonit të kaluar, kur nuk e kishte në skuadrën e tij. Pikërisht, kur Partizani vuante në organikë për shkak të futbollistëve të dëmtuar, Xhani "qante" mungesën e Ndrekës, cilësitë e të cilit i njihte shumë mirë: "Janë futbollistë që janë rritur te Partizani dhe e dinë shumë mirë sa peshon bluza e kuqe. Pikërisht këta lojtarë na nevojiten, prandaj kemi kërkuar rikthimin e tyre në skuadër. Grizhën, Ndrekën e shumë futbollistë të tjerë i njoh prej tetë vitesh, që kur ishin fëmijë,"- është shprehur presidenti i kuq. Tashmë mbrojtja është bërë "pronë" e futbollistëve me "gjak" të pastër të kuq. Beqiri, Grizha, Ndreka, Tafaj priten të jenë titullarët e këtij reparti, ashtu si disa sezone më parë, kur thuajse të gjithë ata kanë luajtur pranë njëri-tjetrit. Nga sezoni i kaluar janë larguar disa futbollistë të këtij roli, ndër më të rëndësishmit Sasha Delain, por për Xhanin futbollistët e sipërpërmendur, me në krye Ndrekën do të bëjnë të harrohet Delaini. Ndreka nuk dëshiron të flasë për të tjerët, por siguron se sulmuesit kundërshtarë do të kenë shumë punë para se t'i afrohen portës së Partizanit. "Jam rikthyer për të dhënë maksimumin te Partizani dhe bashkë me futbollistët e tjerë do të bëjmë të pamundurën për këtë skuadër. Do të jemi skuadër e fortë rivale për trofetë e sezonit dhe nuk do t'i lejojmë kollaj kundërshtarët t'i afrohen portës sonë. Mbi të gjitha jemi një grup kompakt, pasi njihemi prej kohësh me njëri-tjetrin. Kjo na ndihmon më shumë në objektivat tona,"- ka përfunduar Henri Ndreka.
Cilësitë fizike e taktike të futbollistit lezhian janë armë e fortë për të goditur portën kundërshtare. Ndreka, jo vetëm është "shtyllë" e pakalueshme në mbrojtje, por te Partizani ka treguar se di të shënojë. Mjafton të kujtojmë sezonin 2005-2006, kur në fund të tij, Ndreka gati sa nuk arriti kuotën 2-shifrore të golave të shënuar. Duke pasur në mesfushë një futbollist të kalibrit të lartë si Bylykbashi, asistet e të cilit janë përfekte, Partizani mund të shfrytëzojë lojën e fortë në ajër të Ndrekës, sidomos në goditjet standarte.
Adi Metalliu
Sporti Shqiptar