Dinamo, faza seleksionuese drejt fundit
Nga ANDI TANKU
Ekipi i Dinamos, duket se po sheh dritë në fund të tunelit. Largimet e shumta nga radhët e bluve si edhe zgjedhja e trajnerit të ri të ekipit ishin dy çështje, të cilat duhet të zgjidheshin sa më parë. Pas largimit të ish-trajnerit Mërgjyshi, ekipi vazhdoi stërvitjen për disa javë resht nën drejtimin e Dritan Mehmetit, që vitin e kaluar ishte në detyrën e zv.trajnerit të Dinamos. Ditët e fundit në ambientet sportive të skuadrës, si emri që do të drejtojë ekipin vitin e ardhshëm, është përmendur ai i Eduard Zhupës. Megjithatë, për sa i përket kësaj lëvizje në stolin dinamovit, akoma nuk ka asgjë të konfirmuar nga drejtuesit e klubit. Mendohet se javën e ardhshme, mund të ketë diçka konkrete dhe në pankinën e ekipit të Dinamos mund të ulet Zhupa. Por edhe një fakt tjetër i rëndësishëm, është se seleksionimeve të lojtarëve të rinj që do të kenë mundësi për tu afruar në kampin dianmovit, tashmë po i vjen fundi, pasi mendohet se java e ardhshme mund ta gjejë Dinamon pothuajse me grup lojtarësh të plotësuar. Këtyre afrimeve, do ti shtohen edhe lojtarët që kanë ardhur nga ekipet zinxhir të klubit. Futbollistë si Gjonikaj, Bozhanaj, Laço dhe Keta, janë të gjithë lojtarë që kanë qenë pjesë e skuadrës së të rinjve dhe tashmë duket se janë gati për të kontribuar për ekipin e të rriturve. Gjithashtu, radhëve të ekipit dinamovit, mund ti shtohen edhe disa prej lojtarëve që janë aktivizuar me Dinamon vitin e kaluar, duke formuar kështu një grup të gjerë lojtarësh që janë të domosdoshëm për të përballuar sfidat e sezonit të ardhshëm. Por e rëndësishme është se puna disa javore, nga ana e stafit teknik të Dinamos, për seleksionimin e lojtarëve të rinj po përfundon me sukses dhe duket se tashmë ajo do të zëvendësohet me një detyrë tjetër, atë të organizimit të skuadrës dhe përgatitjes për fillimin e kampionatit të ri.