Reklama e radhës e De Biazit në Itali është portieri Ujkanit
Trajneri Xhani De Biazi Palermos: Ujkanit i duhet dhënë besim, kjo edhe për të mirën e Kombëtares së Shqipërisë
Nga ANDI TANKU
Këtë herë Palermo do të varet nga ai. Saimir Ujkani, është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që do ti takojë në rolin për të mbrojtur portën e siçilianëve. Pas tre vitesh shtegtim, në ekipin e Novarës, ku ishte i huazuar, portieri i përfaqësueses sonë, do të rikthehet në ekipin e Palermos. Për portierin Ujkani, ka thurur elozhe edhe trajneri i kombëtares sonë, italiani Xhani de Biazi, i cili për Calciomercato.com shprehet: Eshtë një portier që ka reflekse mjaft të mira në portë. Ka mundësi për tu përmirësuar në fazën e daljes. Por mund të them me siguri, se Ujkani ka një dëshirë të madhe për të mësuar dhe për tu rritur dita-ditës. Djem si Ujkani, gjatë karrierës sime kam njohur pak. De Biazi, gjithashtu ka pohuar se nuk ka asnjë dyshim për aftësitë e portierit të Palermos,ku shprehet se këtyre të fundit, Ujkani do ti bëjë shumë punë dhe do të jetë një siguri më shumë në repartin e prapavijës. Një element tjetër që e bën De Biazin optimist për të ardhmen e ndritur të portierit 25-vjeçar në Sicili me ekipin e Palermon, është edhe përgatitësi i portierëve të këtij ekipi, Franko Paleta. Këtë të fundit, trajneri i përfaqësuese sonë, e ka pasur shok skuadre për tre vite tek ekipi i Palermos, në periudhën 1986-1989. Paleta është një profesionist i vërtet, që do ti japë një ndihmesë të madhe Ujkanit për tu përmirësuar akoma më shumë dhe për të arritur në nivele edhe më të larta,-shprehet De Biazi. Në fund të deklaratës së tij, italiani që drejton përfaqësuesen tonë, shprehet se Ujkani duhet të vlerësohet dhe të afirmohet në ekipin e Palermos, pasi kjo gjë i shërben edhe kombëtares së Shqipërisë.
Të gjithë me Ujkanin: I duhet Palermos
Elozhet për portierin kosovar kanë ardhur edhe nga një ish-lojtar i Palermos, i cili për më tepër në fushën e blertë ka pasur të njëjtin rol si Ujkani. Bëhet fjalë për ish-portierin sicilian, Alberto Fontana. Samiri është një futbollist që ka kualitet të lartë teknik dhe është fizikisht i gatshëm për të qenë një portier titullar te Palermo. Por, ajo që dua të theksoj është se nuk duhet vendosur së tepërmi nën presion. Eshtë i ri dhe prandaj i duhet kohë për tu rritur akoma edhe më shumë. Ujkani, ka qenë portieri i tretë i Palermos në kohën kur Fontana ka qenë titullar në vitin 2007. Samirin e mbaj mend si një djalë serioz, i thjeshtë dhe me shumë dëshirë për të mësuar. Në fund ish-portieri i Palermos e mbyll me një frazë që tregon besim ndaj Ujkanit: Me aftësitë që ka mund të arrijë shumë lart.
