Dinamo fiton derbin e “skuqur”
Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrje e fortë e policisë për të vënë rregull, e më në fund fitore 2-1 e Dinamos, në një pjesë të dytë që zgjati gati 60 minuta, e me blutë (45 pikë) që kryesojnë me 15 më shumë se Besa e vendit të dytë (30, një ndeshje më pak) dhe 16 pikë më shumë se Tirana e vendit të tretë (29). Kjo ishte panorama e ndeshjes kyçe të Kampionatit të 71-të Kombëtar Shqiptar të Futbollit, Tirana-Dinamo, e ndjekur “live” në tribunën “VIP të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thuajse i gjithë stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë dhe trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. Alban Tafaj, trajneri i dytë sezonal i Tiranës, i cili pësoi humbjen e dytë personale në përballjen me Dinamon, foli i revoltuar pas ndeshjes: “Ky ishte një përdhunim i futbollit. Ky është një turp shumë i madh, pasi Dinamo po favorizohet shumë hapur. Ata nuk meritojnë të shpallen kampionë”. Të njëjtat tone mbajti edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili bëri të mundur zhvillimin në dritën e projektorëve, pasi bosi bardheblu i dhuroi stadiumit transformatorin, pas atij që u dogj në Gramozi-Real Madrid. “Sot mori fund futbolli. Federata është e korruptuar. Do ti çoj në prokurori që të nisin hetimet për këtë ndeshje”, - tha Halili, donatori që financon prej gjashtë vitesh klubin financiar më të pasur në Shqipëri. Derbi Tirana-Dinamo, një ndeshje e luajtur në ndriçimin e projektorëve (kësaj herë nuk iku energjia si në ndeshjen Gramozi-Real Madrid), e nisur në mënyrë festive (tifozeri shumë entuziaste), por e përfunduar në mënyrën më të shëmtuar, nga lojtarët dhe stafet e të dyja skuadrave, që së bashku kanë fituar jo pak, por 39 nga 70 kampionatet e përfunduara, për më tepër që luante kampionia në fuqi, Tirana, me skuadrën që e ka prekur me një dorë titullin, Dinamo. Ndeshja e dha sinjalin e parë të tensionit në minutën e 7-të kur mbrojtësi i Tiranës dhe i Kombëtares U-21, lezhjani 20-vjeçar Ditmar Bici, u ndëshkua me karton të kuq e duke lënë bardheblutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Dukej se u përsërit e njëjta skenë si e takimit të fazës së parë, kur dhe në atë takim të humbur nga Tirana, po 2-1 (java 7), pikërisht në debutimin në bankinë të trajnerit Alban Tafaj, u ndëshkua me karton të kuq, sulmuesi bardheblu Migen Memelli, i rikthyer pas një dëmtimi disamujor. Tirana ia del të rivendosë ekuilibrat në fushën e lojës, edhe pse me një lojtar më pak, dhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, anësori Gjergji Muzaka fitoi një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol, e duke çuar bashkëlojtarët e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh. Fraksioni i dytë është një triller i vërtetë, për nga interpretimi i lojës dhe incidenteve të ndodhura. Julian Ahmataj i Tiranës, në minutën e 60-të i kishte të gjitha mundësitë të shënonte golin e dytë për skuadrën e tij, përpara se portieri i 24-herë kampionëve të Shqipërisë, 38-vjeçari Blendi Nallbani, të frenonte në mënyrë të parregullt jashtë zone një lojtar të Dinamo. Gjyqtari Bardhyl Pashaj ndëshkoi me karton të kuq lojtarin më të moshuar të Tiranës, duke i lënë bardheblutë edhe me një lojtar më pak: 9 lojtarë të kampionëve në fuqi, kundrejt 11 të Dinamos. Një ndeshje tërësisht e pabarabartë për sa u përket numrave të lojtarëve, por historia nis e bëhet më tragjike. Trajneri Alban Tafaj bëri një ndërrim të detyruar, teksa në vend të autorit të golit, Gjergji Muzakës, fut në fushë portierin e dytë, Pece Korunovskin. Elis Bakaj ekzekutoi mjeshtërisht goditjen e lirë dhe argjentinasi Lukas Malarkane me një gjuajtje të zgjuar mposhti portierin maqedonas të Tiranës, në minutën e 67-të. Dinamo rifitoi qetësinë dhe tri minuta përpara përfundimit të takimit Elis Bakaj shënoi golin e dytë të bluve që vulosi edhe fitoren, që provokoi direkt edhe sherrin më të madh që ka njohur ndonjëherë “Qemal Stafa”, ndoshta në orët e fundit të këtij stadiumi me emrin e heroit komunist të vrarë, 67 vjet më parë, më 5 maj 1942. Gjithçka më pas nuk është futbolli, por një turp për dy skuadrat e elitës shqiptare të futbollit dhe në mes të kryeqytetit shqiptar, jo në ndonjë fushë të kategorisë së dytë. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, goditi me shkelm e më pas me grusht sulmuesin e Dinamos, Elis Bakaj, menjëherë sapo lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2009 shënoi golin e fitores për kryesuesit e kampionatit dhe të 11-in sezonal. Bakaj doli nga fusha i gjakosur dhe i fashuar. Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që në tapetin e “Qemal Stafës”, policia ndërhyri për të rivendosur rregullin. Ndeshja rinisi pas disa minutash ndërprerje dhe Tirana pati një mundësi të artë në minutën e 6-të shtesë, por portieri Kotori reagoi në mënyrë të shkëlqyer duke shmangur pësimin e golit të dytë. Gjithsesi, pas dhjetë minutash shtesë në fraksionin e dytë (në Vlorë shtesa e pjesës së parë në Flamurtari-Besa zgjati plot 15 minuta), Dinamo doli fituese me meritë e takimit, duke zgjatur diferencën me ndjekëset e saj më të afërt, Besën e Tiranën, respektivisht me 15 dhe 16 pikë, por kavajasit kanë një ndeshje më pak, pasi të mërkurën do të luajnë kundër Skënderbeut në Korçë, ndeshjen e prapambetur të javës së 16-të. “Ishte një derbi me emocion, nga ana teknike, fitore e rëndësishme. Dinamo është ekipi më i mirë i kampionatit, ka më shumë pikë dhe ka zhvilluar ndeshje më të mira”, - tha pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili, me sa duket, është në fitimin e titullit të katërt si trajner, teksa tre të parët i ka fituar si trajner i Tiranës, kundërshtarit ndaj të cilit triumfoi për herë të dytë këtë sezon.
Ky lajm është publikuar: 26/01/2010