E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyri për ndarë sherrin, plumb barkut Shefit të Krimeve

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Shefi i Komisariatit të Policisë së Lushnjes, Altin Hadëri mori një plumb, në momentin kur ndërhyri për të ndarë sherrin që kishte nisur mes disa personave.
Hadëri, duket se ka dashur të bëjë thjesht punën e tij në ruajtjen e rendit, por kjo i ka kushtuar atij një plumb në bark, nga njëri nga personat që po konfliktoheshin. Mësohet nga dëshmitë e vendit të ngjarjes se Altin Hadëri fillimisht u konfrontua fizikisht me agresorin, i cili më pas e qëlloi me armë zjarri shefin e Krimeve të Lushnjës. Ndërkaq, disa minuta para se të futej në sallën e operacionit, Hadëri ka thënë se nuk ka mundur të identifikojë autorin, pasi e ka para vetëm për pak sekonda. Ai ka theksuar se nuk kishte njohje me këtë të fundit.
Identifikimi
Lajmin e konfirmon policia, sipas të cilës vetëm pak orë pas ngjarjes është identifikuar dhe autori i kësaj ngjarjeje. Burime zyrtare nga Policia e Fierit konfirmuan se autori i dyshuar i ngjarjes është Robert Gerica, 39 vjeç, nga fshati Ndërnenas. Burimet shtuan se pas identifikimit, vijon puna për vënien e 39-vjeçarit në pranga. Gerica plagosi mëngjesin e së henës, pranë banesës së tij shefin e policisë kriminale të Lushnjes, Altin Hadërin. Altin Hadëri, u qëllua rreth orës 06:25 minuta, vetëm pak metra larg banesës së tij, në lagjen "Apolonia" në qytetin e Fierit.
Gjendja shëndetësore
Hadëri i plagosur u dërgua me urgjencë për në spitalin e Fierit, pasi plumbi i kishte përshkuar trupin. Hadëri i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale që zgjati për tri orë, ndërsa bluzat e bardha të Fierit, thonë se aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, sulmi ndaj kolegut ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e policisë së Fierit, të cilët po punojnë për arrestimin e autorit tashmë të identifikuar.

Hetimet

Sekuestrohet gëzhoja

Ekspertët e policisë së Fierit kanë gjetur dhe sekuestruar armën me të cilën u qëllua oficeri Hadëri. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe gëzhoja. Ndërkaq, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Altin Hadëri pre tre javësh mbante postin e Shefit të Policisë kriminale në Lushnje. Më parë, Hadëri punonte si inspektor në zyrën e anti-trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit.

Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›