Stuhia rrëzon në mes të Mesdheut avionin e Ethiopian Airlines
Autori i Lajmit: RedaksiaNjë aeroplan i kompanisë ajrore të Etiopisë, me 90 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, është përplasur në Detin Mesdhe, pak kohë pasi është ngritur nga aeroporti në Bejrut. Raportohet se aeroplani është zhdukur nga radarët menjëherë pasi është ngritur. Kufomat e të paktën 24 personave që humbën jetën nga rrëzimi i avionit të “Ethiopian Airlines” janë nxjerrë nga deti. Avioni, i cili fluturonte në kushte shumë të vështira atmosferike, u përplas ditën e djeshme në Detin Mesdhe, pak pas fluturimit nga Bejruti. Njëra nga udhëtarët ishte edhe bashkëshortja e ambasadorit francez në Liban. Ministri i Mbrojtjes i Libanit, Elias Mur, tha se stuhia e fuqishme ishte shkaktari i rrëzimit të aeroplanit. Presidenti i Libanit, Mishel Suleiman, tha se nuk dyshohet në sabotim. “E gjithë qeveria e Libanit dhe agjencitë e saj bëjnë gjithçka të mundur për ti gjetur të mbijetuarit dhe për ti shpëtuar. Kjo është tragjedi”, - tha Suleiman. “Deri më tani nuk ka prova se bëhet fjalë për një akt terrorist”, - deklaroi presidenti Suleiman në një konferencë për shtyp”. Në aeroplan ndodheshin 90 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, shumica libanezë dhe etiopianë, por kishte edhe britanikë, kanadezë, rusë, francezë, irakianë dhe shtetas të Sirisë. Kryeministri i Libanit. Saad Hariri, dje shpalli ditë zie kombëtare. Gjithashtu, ka pasur raporte për vetëtima në kohën kur është ngritur aeroplani, i cili fluturonte për në Adis-Abeba të Etiopisë. Në Bejrut ka pasur reshje të shumta dhe aeroplani u nis mes stuhisë.
Dëshmitarët thanë se kishin parë një shtëllungë të madhe zjarri që u përplas në det dhe me të gdhirë disa nga pjesët e aeroplanit të rrëzuar dukeshin që nga bregu. Operacioni i shpëtimit, po drejtohet nga flota detare libaneze. Ndërkohë që Kombet e Bashkuara, të cilat kanë një mision paqeruajtës në Liban, kanë dërguar dy anije dhe helikopterë shtesë për këtë operacion.
Ky lajm është publikuar: 26/01/2010