E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, 12-vjeçari se fal Ministrin Mediu, nis gjyqi

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Një djalë 12-vjeçar, Roxhers Durda nuk e ka falur Ministrin Fatmir Mediu për tragjedinë që pësoi në shpërthimin e 15 Marsit të vitit 2008, duke çuar kështu zyrtarin e lartë drejt një procesi gjyqësor.
I mituri humbi në tragjedi, nënën, banesën dhe personalisht mori plagë të shumta në trup.
Mediu dje në Gjykatë
Ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i ndjekur nga avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani hyri në heshtje dje paradite dhe doli po në të njëjtën gjendje dje në mesditë nga ambientet e Gjykatës së Lartë, duke mos dhënë asnjë deklaratë për medien. Në seancën e djeshme të pajtimit, Mediu i ka kërkuar falje paditësit të tij të miturit, Roxhers Durda për gjithë sa ka ndodhur në tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Por, i mituri nuk e ka falur për plagët që ka marrë dhe për vdekjen e nënës, që humbi në tragjedinë e 15 Marsit të vitit 2008. Ky vendim i fëmijës i hap rrugë tashmë seancave maratonë të gjyqeve, ku Mediu do të përfaqësohet nga dy avokatë.
Avokati
Sipas avokatit mbrojtës të Mediut, ish-ministri kërkoi falje për pasojat e ngjarjes tragjike ndërsa tha se nuk ka marrë vendime drejtpërdrejt për Gërdecin në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes. Ai ka thënë se ndërmarrja MEICO ishte struktura vartëse e cila ishte e lidhur direkt me çfarë ndodhte në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Pak minuta me parë seanca u mbyll me deklaratën e 12-vjeçarit që ka bërë padinë, i cili ka thënë se refuzon kërkesën për falje, e cila u paraqit nga ish-ministri i Mbrojtjes Mediu.
Seanca e pajtimit
Seanca e pajtimit zgjati plot tre orë. Ndërkohë, trupi gjykues i kryesuar nga Ariana Fullani ka vendosur dje që një tjetër padi e ngjashme si ajo e Roxhers Durdës të nisë në muajin shkurt. Alketa Hazizaj, një tjetër banore e Gërdecit ka paditur Mediun për dëmtin nga tragjedia e 15 Marsit në fshatin e saj. Trupi gjykues vendosi që seanca e pajtimit mes Mediut dhe Hazizajt të nisë më 15 shkurt. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, të vetmit nën arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit, ku 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku çmontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.

Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›