E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori shqiptar në pritjen e Hua Kuo Fenit në Rumani

Autori i Lajmit: Androkli DraloBukuresht, 18 gusht 1978 – Kryetari i Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Fen, dha një konfirmim të qartë të pavarësisë së Rumanisë ditën e djeshme, duke pohuar se Kina dhe vendi ballkanik ndajnë “objektiva të njëjtë” dhe duke deklaruar se Pekini nuk i frikësohet një lufte kundër atyre që “duan të sundojnë botën”. Ndërsa Kuo Feni nuk përmendi asnjë fuqi që kërkonte të dominonte botën me zjarr, vërejtjet e tij me shumë gjasa u hodhën kryesisht në drejtim të Moskës. Rumunët nuk i kanë shumë të mira marrëdhëniet me Kremlinin për shkak të politikës së jashtme të pavarur të Bukureshtit dhe Moska e ka kritikuar këtë të fundit se po afrohet shumë me Kinën. Duke kujtuar se dy luftërat e mëparshme botërore kishin nisur në Evropë, udhëheqësi kinez tha: “Sot Evropa është shndërruar edhe një herë tjetër një objektiv i rëndësishëm i debatueshëm nga shumë fuqi të mëdha që përpiqen në sundojnë globin. Përballë rrezikut të fillimit të një lufte të re, popujt po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për këtë dhe po përpiqen të ngrihen dhe të luftojnë në shkallë të ndryshme kundër forcave luftarake. Por nëse këta kërkojnë me të gjitha mënyrat që tu shpallin luftë popujve, ne nuk kemi frikë”. Duke shtuar se ish-perandoritë botërore tashmë “janë shndërruar në pluhur e hi”, Sekretari i Parë i PKK-së shtoi se sot ata që kërkojnë “në dëshpërim... të sundojnë botën, edhe pse për pak kohë mund ta shijojnë aventurën e tyre, në fund do të kenë të njëjtin fat”. Në atë që dukej si një premtim për mbështetje për Rumaninë që të ndjekë politikën e rrugës së saj të pavarësisë, Hua Kuo Feni tha se Kina dhe Rumania janë të lidhura nga “objektivat e sotme të përbashkëta”, që janë mbrojtja e pavarësisë dhe e sovranitetit dhe ndërtimi i socializmit “që do të na bashkojë akoma më shumë”. Fjalimi i Huasë u mbajt ditën e mërkurë në mbrëmje gjatë një banketi për nder të tij, në të cilin të pranishëm ishin vetëm zyrtarë kinezë dhe rumunë. Teksti i fjalimit të udhëheqësit kinez u botua nga organi komunist vendas, “Scinteia” ditën e djeshme. Në një editorial dy ditë më parë në faqen e parë të “Scinetia”, gazetës së partisë, thuhej se Kina po luan një rol thelbësor në luftën “kundër imperializmit, kolonializmit, neokolonializmit dhe çfarëdo lloj tjetër dominimi dhe shtypjeje. Duke pohuar se lidhjet kino-rumune bazohen tek “solidariteti kundër nënshtrimit dhe dominimit të jashtëm”, editoriali erdhi deri në atë pikë sa Rumania mund tia lejonte vetes konceptin kinez të “antihegjemonisë” apo kundërshtimit të dominimit sovjetik. Për rumunët, vizita e Fenit është një shfaqje e solidaritetit e shoqëruar nga lutjet e nënkuptuara për ndihmë. Ndërsa rumunët janë të vetëdijshëm për rreziqet në të cilat janë përfshirë, ata kanë vendosur të bëjnë presion në limitet e tolerancës sovjetike me besimin se udhëheqja e vjetër e Kremlinit tashmë është më shumë e shqetësuar me sfidën globale të Pekinit dhe nga ajo e shkatërrimit të marrëdhënieve sovjeto-amerikane gjithashtu. Edhe pse Hua Feni i shmangu sulmet direkte me emër kundër Bashkimit Sovjetik, sulme të cilat janë bërë të zakonshme në fjalimet e figurave të vjetra të Pekinit, mesazhi i tij për Kremlinin ishte më se i qartë. Presidenti rumun, Nikolae Çaushesku, në fjalimin e tij të djeshëm shprehu vlerësimin për “rolin e rëndësishëm gjithnjë e më të madh të Republikës Popullore të Kinës në arenën ndërkombëtare”. Çaushesku foli gjithashtu edhe për “tendencat gjithnjë e në rritje që po rindajnë zonat e influencës dhe që po promovojnë politikën e dominimit në pjesë të ndryshme të botës”. Megjithatë, ai ishte shumë më i rezervuar dhe indirekt në kritikën ndaj Moskës sesa i ftuari i tij nga Kina. Ditën e djeshme, zyrtarët rumunë shfaqën një masë të madhe nervozizmi dhe kërkuan ta përshkruajnë këtë vizitë të paprecedentë të udhëheqësit të Kinës në Evropë si një çështje bilaterale, qëllimi kryesor i së cilës është zhvillimi i marrëdhënieve tregtare. Hua Kuo Fenit, gjatë ditës së dytë të vizitës në Rumani, iu mundësua një tur në kryeqytet që përfshinte një ndalesë në një fabrikë prodhimi pajisjesh veturash dhe një vizitë në një supermarket lokal. Supermarketi na doli të ishte fals si fshati i Potemkinit. Dyqani i Drumul Taburuhuit ishte mbushur me të gjitha llojet e asortimenteve dhe mish, të cilin rumunët normalisht as nuk e shohin me sy. Përpara hyrjes ishte shtruar një tapet i kuq ceremonial, i cili u mblodh menjëherë pas nisjes së delegacionit kinez dhe dyert e dyqanit u mbyllën. Udhëheqësi 58-vjeçar kinez u shfaq shumë energjik dhe me një paraqitje për tu pasur zili. Analistët perëndimorë, të cilët e njihnin numrin 1 të Pekinit përpara se të vinte në pushtet, thanë se floku i Hua Kuo Fenit ishte lyer pisk i zi (thuhej se më parë ai i kishte pasur flokët të thinjura) dhe se paraqitja e tij e jashtme tani duket shumë herë më e rinuar. Udhëheqësi kinez, i cili është ndryshe nga shumica e liderëve të Kinës, pothuajse 1.8 m i gjatë, ka humbur gjithashtu disa kilogramë. Xhaketa e tij ushtarake e qepur me shumë elegancë i jepte shumë vlera veshjes. Dje në mbrëmje ai u takua me ambasadorët e vendeve të akredituara në Rumani. Me këtë rast u mbajtën fjalime dhe shkaku pse diplomatët këtu spekuluan ishte se protokolli do të kërkonte që ambasadori sovjetik, ashtu si dhe kryetari i trupit diplomatik të Bukureshtit, të mbanin fjalimin përshëndetës të mirëseardhjes. Ambasadori nga Shqipëria, dikur aleatja e vetme e Kinës në Evropë ishte gjithashtu i pranishëm në pritje. Kohët e fundit, Shqipëria e ka denoncuar Kinën, pasi Pekini tërhoqi menjëherë ndihmën dhe personelin e tij nga vendi i saj. Fjalimi i Hua Kuo Fenit, edhe pse me tone të moderuara, konfirmoi qartazi se Pekini ka për qëllim të udhëheqë një politikë dinamike në një tentativë për të krijuar atë që ajo e quan “fronti i bashkuar” kundër sovjetikëve. Në 21 gusht, dita që shënon 10-vjetorin e pushtimit të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë, Kuo Feni pritet që largohet nga Rumania dhe të nisë një vizitë njëjavore në Jugosllavi, vendin e paangazhuar komunist që ka qenë në konflikt me Kremlinin që kur presidenti Tito i mbylli derën bllokut sovjetik 30 vjet më parë.
Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›