E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo fiton ndaj Besës, dhe shkëputet me 8 pikë

KAVAJE- Dinamo ka mposhtur 1-0 Besën në transfertë, duke u shkëputur me 8 pikë në krye të renditjes së Superligës. Ndeshja e fundit e javës së 10-të, e zhvilluar në një terren tejet të rënduar në Kavajë, ka përfunduar me fitoren e skuadrës së Shkëlqim Muçës. Gjithçka është vendosur nga një gol i shënuar nga argjentinasi Souza në minutën e 20-të. Përpos kësaj, Besa ka patur disa mundësi të mira për të realizuar. Në fundin e pjesës së parë, arbitri Sokol Jareci akordoi një penallti, të cilën Mancaku e gaboi përballë portierit Alban Hoxha. Në fraksionin e dytë të lojës ishin vendasit ata që sulmuan më shumë, duke iu afruar disa herë portës dinamovite. Dhëmbi, i futur në pjesën e dytë arriti të shënonte pas një goditje këndi, por mesfushori korçar e goditi topin me dorë, ç’ka bëri që gjyqtari ta anulonte. Momenti deciziv i ndeshjes do të ishte në minutën e dytë shtesë, kur mbrojtësi Arjan Pisha mban dukshëm në zonë Daniel Xhafën që doli i vetëm me portën, por arbitri Jareci nuk jep penallti, ç’ka solli edhe protestat e tifozerisë. Në fushë janë hedhur shishe plastike, por edhe dy-tre stola të thyer. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›