Rrahu një shtetas, rikthehet në qeli 38-vjeçari
Tiranë – Rrahu një shtetas, policia e vë në pranga. Burime policore thanë për gazetën se Seksioni Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit bëri identifikimin dhe arrestimin e shtetasit Fatmir Avdillari, 36 vjeç, lindur dhe banues në Yzberisht, i dënuar më parë me 12 vjet burg. Kapja e tij u bë pasi në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, në Kombinat, ka rrahur shtetasin A. H. dhe i ka dëmtuar xhamat e mjetit “Lançia”, me targë TR 0176 E, në pronësi të këtij shtetasi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga nenet 89 dhe 150 të Kodit Penal.
Dyshoheshin si shpërndarës të lëndëve narkotike, arrestohen
Tiranë – Dyshoheshin prej kohësh se ishin shpërndarës droge dhe dje u arrestuan nga policia. Burimet nga radhët e uniformave blu thanë për gazetën se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: Orgest Niço, 26 vjeç, dhe Perika Kosho, 21 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i shtetasit Olgert Niço u krye pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde narkotike, ngjyrë kafe, e dyshuar si e llojit hashash, e futur në qese plastike dhe e mbështjellë me letër alumin. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i 51 gramëve lëndë narkotike e dyshuar hashash, një aparat telefoni celular, pesë karta SIM të kompanive të ndryshme të telefonisë celulare. Ndërsa arrestimi i shtetasit Perika Kosho u krye me akuzën e kryerjes së veprës penale të moskallëzimit të krimit parashikuar nga Neni 300 i Kodit Penal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në ngarkim të shtetasit Orgest Niço parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal dhe në ngarkim të shtetasit Perika Kosho për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”.
Policia u dorëzon francezëve dy makinat e vjedhura, të bllokuara
Tiranë - Specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shërbimin policor të atashuar pranë Ambasadës Franceze në Tiranë, në bazë të urdhrit për kthimin e sendeve të sekuestruara lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kryen kthimin e automjeteve: “Volkswagen Sharan” me targë 9671 WWB 59 mjet i sekuestruar në muajin mars të vitit 2008, “Porche Boxer”, me targë ZH 728059 (jo e vërtetë) dhe me targë origjine 537 KH 13, sekuestruar në muajin shtator të vitit 2008. Automjetet e lartpërmendura iu kthyen kompanisë së sigurimeve në Francë.
Vihen në pranga 2 vëllezërit që prishën meshën në kishën e Laçit
LAÇ - Dy personat që prishën meshën në kishën e Laçit dy ditë më parë dhe kërcënuan priftin Mikel Pllumbaj në prani të dhjetëra besimtarëve dhe pelegrinëve, duke shkaktuar një kaos të vërtetë, u arrestuan dje nga policia. Dy vëllezërit, Artit dhe Ylli Vlashi, përkatësisht 31 dhe 29 vjeç, u prangosën nga policia e këtij qyteti me akuzën e kanosjes së priftit Pllumbaj për shkak të detyrës, duke penguar veprimtarinë fetare. Për famullitarin Padër Mikel Pllumbaj, konflikti është i vjetër dhe nuk ka për qëllim vetëm kërcënimin e tij si person, por marrjen e territoreve të kishës si shkak i një çështjeje pronësie të pazgjidhur prej vitesh. Madje, sipas tij, në vitet e kaluara njëri prej meshtarëve është qëlluar edhe me armë. Famullitari i kësaj kishe nga më të shënuarat në Ballkan ka bërë përgjegjës pushtetin vendor si dhe politikën që prej vitesh e kanë vënë në përballje të shëmtuar kishën me persona që në vend që ta respektojnë atë e dhunojnë në mënyrë të papërgjegjshme.
26 Shkurt 2009