E Diel, 1 Nëntor 2026

Uinslet refuzon “Playboy”-n: “Nuk jam seksi për në kopertinë”



Propozimi i bosit të revistës “Playboy” për të pozuar e zhveshur ka shokuar aktoren fituese të çmimit “Oscar”, Keit Uinslet. Shkaku është se aktorja mendon se nuk është aq seksi për të qenë në kopertinën e revistës së famshme për meshkuj. Aktorja britanike, e cila është zhveshur disa herë në filmat e saj, ka nxitur interesin e Hefner, i cili mendon se nëse Uinslet do të zhvishej, revista do të kishte shumë shitje. “Ky nuk është një propozim për të cilin ajo do të ishte e interesuar”, - ka thënë përfaqësuesja e fitueses së Oskarit për “WENN”. Kohë më pare, Uinslet u shpreh se nuk do të zhvishej më kurrë në një film pasi ajo ishte profesioniste dhe jo aktore pornografie. Më herët, për revistën e famshme janë zhveshur koleget e saj Merlin Monro dhe Sheron Stoun. Megjithatë, fakti që asaj iu propozua të pozonte nudo nuk mendohet të jetë bukuria, por fama dhe popullariteti që ka fituar kohët e fundit.

Këngëtarja Mel C bëhet nënë

Mel C, ish-anëtarja e grupit “Spice Girls”, ditët e fundit ka sjellë në jetë një vajzë, të cilën e quajti Skarlet. Ajo ishte e vetmja anëtare e grupit që nuk e kishte provuar ndjesinë e të qenurit nënë. Vajza lindi në një klinikë në Londër dhe gëzon shëndet të plotë. Mel C dhe partneri i saj, Thomas Star, kanë një lidhje gjashtëvjeçare, që do të kurorëzohet me martesë në muajin korrik. “Melani C lindi një vajzë të bukur ditën e diel, më 22 shkurt. Së bashku me partnerin, këngëtarja ra dakord që vajzës t’i vihej emri Skarlet Star”, - shkruhet në komunikatën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të internetit të këngëtares. Mediat kishin shkruar se Mel C po planifikonte t’i përkushtohej familjes duke lënë mënjanë impenjimet profesionale. “Prioriteti i saj tashmë është Skarlet, fansave të saj do t’u duhet të presin për pak kohë për të dëgjuar zërin e mrekullueshëm”, - tha një burim për gazetën “Daily Mirror”.

Lindsi Lohan, çrregullime me të ushqyerit

Aktorja Lindsi Lohan tashmë është bërë objekt thashethemesh se ka probleme me ushqyerjen. Gjithçka ka filluar si pasojë e disa fotografive të reja, në të cilat Lohan ka pozuar e zhveshur.
Aktorja e filmit “Mean Girls” ka pozuar për fotografin e njohur Hedi Slimane e zhveshur në pjesën e sipërme, duke mbuluar gjoksin me duar dhe me flokë. Megjithatë, në këto fotografi, Lindsi duket shumë e dobët dhe ajo që shihet qartë është trupi disi i deformuar. Duke llogaritur edhe shqetësimin që kanë shprehur së fundmi prindërit e saj për humbjen në peshë, shtypi i thashethemeve nuk ka hezituar të shkruajë se aktorja ka probleme me të ushqyerin.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›