E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana - Elbasani 0-0. Vendoset në “Ruzhdi Bizhuta”



Tirana e Elbasani regjistruan barazimin e dytë pa gola në harkun e katër ditëve, në dy kompeticione e në dy stadiume të ndryshme: në kampionat (“Selman Stërmasi”) dhe në Kupën e Shqipërisë (“Qemal Stafa”). Edhe pse Tirana u përpoq shumë për të shënuar, duke pasur në vijën e parë dyshen më të mirë sulmuese të saj, Migen Memellin e Daniel Xhafajn, të mbështetur nga fantazisti Devi Muka, nuk arriti të gjejë rrugën e golit përballë skuadrës së vendosur mirë taktikisht në fushë nga një strateg i regjur si Faruk Sejdini. Sulmuesi i Tiranës, Daniel Xhafaj, në minutën e 12-të goditi shtyllën pingule të Elbasanit, ashtu siç bëri edhe në ndeshjen midis këtyre dy ekipeve në ndeshjen e kampionatit para katër ditësh, duke dhuruar edhe emocionin e vetëm në një ndeshje shumë nervoze, ku u dhanë gjashtë kartonë të verdhë.
Takimi i kthimit dy javë më pas është tërësisht i hapur dhe me theks sulmues, pasi të dyja skuadrat do të luftojnë për të shënuar, për të mos e çuar ndeshjen në kohën shtesë, ku fati i penalltive në vështrimin e parë nuk dihet se kë do të zgjedhë.

Flamurtari–Partizani 1-0. Penallti e kartonë të kuq

Vetëm dy ngacmime kishte pasur Flamurtari në portën e Partizanit përpara se talenti vlonjat Ardit Shehaj të fitonte një penallti e të shënonte në minutën e 40-të, por dhe që do të linte 15 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Fatjon Tafaj (40’). Pjesa e dytë prodhoi edhe dy shtylla të formacionit të Eqerem Memushit, në harkun e dhjetë minutave (59 e 69), ndërkohë që momenti më i mirë i Partizanit ishte ai me sulmuesin Marius Ngjela në minutën e 82-të, kur iu vodh mbrojtjes së 2 herë fituesve të Kupës, por pa mundur t’i rrëshqasë portierit vlonjat. Vlonjatët mund të kalojnë për herë të 17-të në gjysmëfinale me çfarëdolloj barazimi me Partizanin në kryeqytet, por dhe humbjen me një gol diferencë nga formacioni i Shpëtim Duros.

Shkumbini-Besa 1-1. Fair-play prishet në fund

Shkumbini-Besa (1-1) ishte thuajse e tëra një ndeshje “fair-play”, në prani të rreth 3 mijë tifozëve, të cilët ishin në mbështetje të Shkumbinit me ëndrrën për të kapur një vend në finalet e Kupës së Shqipërisë, por 25 minutat e fundit të takimit të parë çerekfinal midis dy skuadrave, përveç emocioneve të golave të Mustafajt të Shkumbinit në të 68’ dhe Halitit të Besës në të 86’, sollën edhe dy kartonë të kuq për Shkumbinin, kur gjyqtari Jemini largoi Arlind Norën dhe zëvendësuesin Roland Dervishi pas dy kartonëve të njëpasnjëshëm të verdhë. Pas përfundimit të takimit, një grup ultrasish peqinas protestuan ashpër për disa minuta ndaj vendimeve të “xhaketës së zezë”, por forcat e shumta policore, përfshirë edhe ato speciale, e vunë menjëherë nën kontroll situatën duke mos lejuar degradimin e situatës.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›