E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo, “kafshatë” që s’kapërdihet

13/03/2005  Kategoria superiore

Java e 27-të - 12 mars 2005

Shkumbini - Elbasani 1 : 0

Tirana - Dinamo 0 : 2

Lushnja - Vllaznia 2 : 0

Teuta - Egnatia 1 : 0

Laçi - Partizani 0 : 5

K L A S I F I K I M I

N/R Skuadrat F B H G+ G- P F B G+ G- P F B H G+ G- P

1 TIRANA 19 5 3 57 23 62 9 4 1 31 13 31 10 1 2 26 10 31

2 ELBASANI 16 6 5 44 23 54 12 2 0 31 7 38 4 4 5 13 16 16

3 VLLAZNIA 16 1 10 62 30 49 12 0 2 44 11 36 4 1 8 18 19 13

4 DINAMO 12 6 8 37 22 42 8 3 3 23 11 27 4 3 6 14 13 15

5 TEUTA 13 2 12 30 34 41 8 1 4 19 12 25 5 1 8 11 22 16

6 LUSHNJA 10 8 9 30 31 38 8 2 3 22 13 26 2 6 6 8 18 12

7 SHKUMBINI 11 5 11 33 30 37 7 2 4 19 12 23 4 2 8 14 17 14

8 PARTIZANI 10 6 11 41 35 36 5 4 4 20 17 19 5 2 7 21 18 15

9 EGNATIA 6 5 16 18 30 23 4 4 6 6 11 15 2 1 10 12 19 7

10 LAÇI 0 1 26 7 99 1 0 0 13 36 0 0 1 13 5 63 1

Golashënuesit

16 gola: Salihi (Vllaznia)

15 gola: Abilio (Vllaznia), D. Bylykbashi (Partizani)

12 gola: Fortuzi (Tirana)

11 gola: D. Xhafaj (Teuta), Rizvanolli (Shkumbini, Egnatia dhe Partizani)

10 gola: Muka, Rraklli (Tirana),

9 gola: Bejzade (Partizani+Elbasani), K. Arbri (Lushnja)

7 gola: Ahmataj, K. Dalipi (Elbasani), Begeja (Shkumbini)

6 gola: Mancaku (Teuta), Patushi, E. Bulku (Tirana), Lici (Vllaznia)…

Tirana pëson një humbje të hidhur, megjithatë shpallet kampione e fazës së tretë të sezonit

Tirana – Dinamo, 0:2

Për të dytën herë në këtë sezon është Dinamo, ajo që del triumfuese nga derbi, përballë kampionëve në fuqi të Shqipërisë dhe njëkohësisht ekipit të cilësuar “më i forti në këtë sezon”, Tiranës. Blutë kanë konfirmuar se janë një “kafshatë që s’kapërdihet”, për kushërinjtë kryeqytetas. Eshtë pikërisht Dinamo, që ka bërë një tjetër mbyllje të hidhur edhe në fazën e tretë të bardhebluve, ashtu sikurse kishte bërë edhe në të dytën, vetëm 9 javë kampionati më parë, kur me fitoren 2-1, përballë rivalëve kryeqytetas, do të shkaktonte një stuhi kritikash në dëm të këtyre të fundit. Dhe, një situatë e tillë nuk përjashtohet as këtë herë, pasi paraqitja e djemve të Starovës ka lënë për të dëshiruar dje, në “Qemal Stafa”. Të dyja skuadrat vijnë në këtë ndeshje nga pole të ndryshme: Kryesuesit entuziastë pas asaj pike të rëndësishme kundër Elbasanit, ndërsa blutë, të dërrmuar nga një humbje në shtëpinë e tyre. Gjithsesi, duket se skuadra e Canajt e gjeti forcën dhe kurajon e duhur për t’u karikuar ashtu siç i takon një ndeshjeje derbi. Bardheblutë kanë rënë “viktima” të vetëkënaqësisë, pas barazimit në Elbasan që ruajti një distancë të mjaftueshme, për më shumë qetësi në rrugën drejt titullit. Humbja e djeshme, 0-2, ka vënë në rrezik gjithçka, por ai që ka ndihmuar Tiranën, ka emrin Shkumbini. Peqinasit me fitoren e ngushtë ndaj portokallinjve të vendit të dytë, kanë favorizuar kryesuesit e tabelës, të cilët vetëm kështu kanë mundur të ruajnë distancën prej 8 pikësh me Elbasanin. Të dy ekipet kishin zbritur në derbin e djeshëm, me mungesa të rëndësishme për shkak të dëmtimeve. Gjithsesi, takimi ka nisur i shpejtë dhe luftarak nga protagonistët në fushë. Pas vetëm 7 minutash, vjen avantazhi i Dinamos, Gudjabin, që ka kthyer në gol, një goditje standarte. Ky gol e ka futur ndeshjen në rrjedhën e dëshiruar prej bluve, që kanë treguar një skuadër të matur. Kanë administruar më së miri të gjithë ndeshjen, me një skuadër të rreshtuar mirë, që mbrohet me shumë forca dhe që dilte përpara me pasime të sakta. Loja e orientuar nga trajneri Canaj ka dhuruar më shumë efikasitet. Ndërkohë që, pas dizavantazhit 0-1, futbollistët e Starovës kanë tentuar të reagojnë, por ka munguar konkluzioni i fundit për të arritur te goli. Superioritetin e tyre në renditje ndaj kundërshtarit, bardheblutë nuk kanë mundur ta tregojnë në fushë. Impenjimi i tyre në komplet ishte me hope. Shumë punë për dy portierët përkatës, pasi rastet për shënim nuk kanë munguar. Tirana ka ushtruar preson mbi kundërshtarin, por blutë nuk linin hapësira prapa dhe kundërpërgjigjeshin me kundërsulme. Vulën e fitores do ta vinte sërish Gudjabi, në minutën e 73-të. Edhe këtë herë, senegalezi ka shfrytëzuar shtatlartësinë tij në një goditje standarte, të ekzekutuar nga Alikaj. Gjuajtja e tij me kokë ka qenë e pakapshme për Hidin. Në një ndeshje të tillë nuk mund të mungonte tensioni, i cili ka detyruar gjyqtarin Meta, të nxirrte 8-të herë kartonin e verdhë. Fërshëllima triherëshe e gjyqtarit ka bërë të shpërthejë gëzimi i ligjshëm i bluve, ndërkohë që i ka lënë vend polemikave në radhët e bardhebluve.

Thanë pas ndeshjes

Agim Canaj, trajneri i Dinamos

Kryesorja në një derbi është të njohësh të metat e kundërshtarit. Ne kishim studiuar mjaft mirë Tiranën dhe arritëm që ta godisnim në pikat e dobëta të saj. Ne u mbrojtëm mjaft mirë, nuk e lamë kundërshtarin që të zhvillonte lojën nga krahët dhe luajtëm me efikasitet kundrasulmin. Luajtëm shumë mirë dhe morëm një fitore të merituar. Po të ishim më të kujdesshëm, rezultati mund të ishte më i thellë, pasi humbëm disa raste të pastra. Jam shumë i kënaqur nga loja e gjithë ekipit dhe kjo vërtetoi edhe një herë se, Dinamo ka një grup të mirë lojtarësh.

Sulejman Starova, trajneri i Tiranës

Në humbjen e sotme ndikuan disa faktorë. Në radhë të parë, pësuam një gol nga goditje standarte, që është një sëmundje e vjetër e këtij ekipi. Një faktor tjetër i rëndësishëm ishin edhe mungesat e shumta si, Patushi, Nallbani, Hajdari, Fakaj etj, si dhe gjendja gripale e ndonjë lojtari që luajti si Dabulla. Në pjesën e dytë, ne reaguam e luajtëm më mirë, por u goditëm nga goli i dytë, i cili erdhi përsëri nga një goditje standarte. Kur luan me një ekip si Dinamo, që nuk ka çfarë të humbasë, rrezikon gjithmonë. Ne nuk patëm kujdesin e duhur, humbëm qetësinë në disa momente dhe kjo na kushtoi humbjen.

Gudjabi: E mbajtëm fjalën

Futbollistët afrikanë kanë mbajtur fjalën e dhënë, të premten në darkë, presidentit Sulaj dhe kanë dhënë maksimumin në derbin kryeqytetas. Ata kanë qenë nga më të mirët në fushë, por më i miri nga të gjithë ka qenë El haxhi Gudjabi. Sulmuesi senegalez me dy golat e tij i dhuroi fitoren bluve dhe i ktheu besimin tifozëve dinamovitë. Përveç golave, ai ishte gjatë gjithë kohës një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Tiranës. Një minutë para përfundimit të takimit, senegalezi u ndërrua nga trajneri Canaj, pasi po bëhej pre e shumë ndërhyrjeve të parregullta. Pas ndeshjes, Gudjabi ishte mjaft i gëzuar për paraqitjen e tij, si dhe për fitoren e skuadrës. “Jam shumë i gëzuar, tha ai për “Metropol Sport”. Unë shënova dhe skuadra fitoi. Ky është koordinimi më i përkryer që ëndërron çdo sulmues. Është një fitore e madhe, pasi mundëm kampionët. Për më tepër, kjo fitore erdhi si rezultat i lojës sonë. Ne nuk fituam rastësisht, por luajtëm shumë mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe e merituam fitoren”. Sulmuesi senegalez kishte edhe një arsye tjetër që të ishte i gëzuar. Ai dhe lojtarët e tjerë afrikanë kishin pasur një problem me klubin, për punën e pagave, duke bojkotuar stërvitjen e së premtes. Këtë problem, lojtarët afrikanë e zgjidhën me presidentin e bluve, në një takim që patën me të. Po në këtë takim, ata i kishin premtuar presidentit Sulaj, se do të jepnin maksimumin në derbin me Tiranën. “Ne mbajtëm fjalën e dhënë, ka vazhduar Gudjabi. Ne i kishim premtuar presidentit se do të jepnim maksimumin në këtë ndeshje e se do të fitonim me Tiranën dhe ja që e mbajtëm fjalën”. Ndërsa për golat e tij, sulmuesi senegalez megjithëse modest, nuk mund që ta fshihte kënaqësinë. “E rëndësishme është që fitoi skuadra, tha ai. Kuptohet që edhe unë jam shumë i gëzuar që arrita të shënoj përsëri dy gola. Për më tepër, kur këta dy gola i shënova kundër një skuadre të madhe si Tirana”. Në fund Gudjabi falenderoi publikun dinamovit, duke i dedikuar golat e shënuar. “Ia dedikoj këta gola tifozëve tanë, si dhe gjithë atyre që më kanë ndenjur pranë dhe më kanë ndihmuar”. Me dy golat e shënuar kundër Tiranës, Gudjabi arriti kuotën e katër golave, pasi kishte shënuar edhe dy të tjerë kundër Lushnjës, para dy javësh. Tashmë, senegalezi është një nga golashënuesit më të mirë të skuadrës, mbrapa Dhëmbit e Xhihanit, të cilët kanë shënuar nga pesë gola.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›