Dinamo, mbretëresha e statistikave
Dinamo ka regjistruar numrin më të madh të fitoreve: 13 në 17 javë. Më pak fitore kanë Skënderbeu, Flamurtari dhe Gramozi, nga 3.
* * *
Gjashtë skuadra: Teuta, Shkumbini, Kastrioti, Vllaznia, Flamurtari dhe Gramozi kanë pësuar nga 8 humbje në 17 javët e para. Shkumbini, Vllaznia, Skënderbeu dhe Gramozi janë katër skuadrat e vetme që nuk kanë fituar asnjë ndeshje në transfertë.
* * *
Dinamo është skuadra që pësoi më pak humbje, 1, ndërkohë që në shtëpi është e vetmja që nuk ka pësuar asnjë humbje.
* * *
27 pikë është diferenca midis vendit të parë, Dinamos, 42, dhe tri vendeve të fundit, Skënderbeu, Flamurtari dhe Gramozi, nga 15 pikë.
* * *
12 pikë është diferenca aktuale midis Dinamos së vendit të parë, 42 pikë dhe Besës së vendit të dytë, 30, por kavajasit kanë një ndeshje më pak.
* * *
218 gola janë shënuar në 17 javët e para, ose në 101 ndeshje të luajtura. Mesatarja është 2.16 gola për ndeshje.
* * *
Dinamo e vendit të parë ka sulmin më të mirë të 17 javëve: 32 gola, gati 3-herë më shumë se Gramozi i vendit të fundit, 11 gola
* * *
Besa e vendit të dytë ka mbrotjen më të mirë në kampionat, 7 gola të pësuar, ose dy herë më pak se Dinamo e vendit të parë, 14 gola, dhe 6 gola më pak se Tirana e vendi të tretë, 13.
* * *
Ekipet vendase kanë fituar 56 ndeshje, ose 55% Barazimet janë 27 (27%) dhe 18 ndeshje (18%) janë fituar nga ekipet mike.
* * *
Dy sulmuesit e Dinamos, Elis Bakaj (10 gola) dhe Fatjon Sefa (9 gola), së bashku kanë shënuar po aq gola sa ka realizuar dhe Shkumbini (19), dhe më shumë se Teuta (18). Gramozi ka shënuar 11 gola, Flamurtari 13, Vllaznia (16), Kastrioti (16), Laçiu (16).
* * *
Dinamo, në 17 ndeshje ka këtë shpërndarje: 76% të ndeshjeve fitore (13 fitore), 17% barazime (3 barazime) dhe 5% humbje (1 humbje).
* * *
22 ndeshje janë mbyllur me rezultatin 1-0.
Merkato, lëvizjet e fundit në klube
Bledar Mancaku (27 vjeç, 3 gola këtë sezon) rikthehet te Teuta për pjesën e dytë të sezonit. Dy presidentet, Bizhdili (Besa) dhe Hasanbelliu (Teuta) kanë rënë dakord për lëvizjen e Mancakut. Në planet e Teutë është dhe Erald Turdiu.
Gjondeda
Gentian Gjondeda (aktualisht te Skënderbeu) është pranë kalimit te Besa. Trajneri Shpëtim Duro e pëlqen futbollistin pasi e ka pasur nën urdhrat e tij te Partizani. 29-vjeçari Gjondeda shihet si një përforcim i mirë në mesfushë.
Flamurtari
Flamurtari është duke testuar dy lojtarë serbë: sulmuesin Çoriç dhe mefsushorin Tasunoviç. Çoriç ka lënë përshtypje të mira të vlonjatët, ndërkohë që pritet vendimi i trajnerit Gugash Magani për Tasunoviçin. Flamurtari (15 pikë në 17 javët e para) përjashtoi para pak ditësh braziliani Flavio Junior, sllovenin Darko Djukiç dhe braziliano-kroatin Robert Alivizh.
Mujdragiç
Mbrojtësi boshnjak Ahmed Mujdragiç rinovoi kontratën me Shkumbinin deri në fund të sezonit. 23-vjeçari është një nga dy të huajt e skuadrës peqinase këtë edicion, së bashku edhe me maqedonasin Sasho Gjoreski (27 vjeç, 1 gol).
Elbasani
Hetlem Çapja është blerja e parë e Elbasanit ende pa filluar zyrtarisht merkatoja dimërore. Elbasani ndodhet në vendin e tretë të Kategorisë së Parë, me pikë të barabarta me Lushnjën e vendit të dytë (nga 32 pikë) por synon rikthimin direkt në Kategorinë Superiore.
Deliu
Luan Deliu është trajneri i ri i Gramshit. Lajmi është konfirmuar nga presidenti Baholli. Deliu do të zëvendësojë në këtë detyrë Alpin Gallon që dha dorëheqjen me përfundimin e fazës së parë të Kategorisë së Parë. Gramshi pas 15 javësh renditet në vendin e 11-të me 16 pikë.
4 Janar 2000