E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, invalidët 3 muaj pa pagesa, paralajmërojnë grevë

 FIER- Invalidët e Fierit paralajmërojnë protesta deri edhe në grevë urie, për shkak se ata kanë tre muaj pa marrë pagesën e invaliditetit. “Do të protestojmë në shesh, madje do të futemi edhe në grevë urie”, u shprehën dje ata. Sipas tyre, pagesa që iu takon me ligj është e vetmja e ardhur që kanë dhe vonesa të tilla u dëmtojnë rëndë ekonominë e familjeve të tyre. “Ne do të hidheni në grevë për ato para që duhet t’i marrim çdo muaj. Kanë kaluar tre muaj dhe askush nuk është kujtuar për të na dhënë lekët, por na mbajnë vetëm me shpresa. Nuk kemi si të jetojmë pa të ardhura, aq më të tepër me këto çmime, që janë sot në treg”, u shprehën të indinjuar një grup invalidësh, të cilët kërkojnë më tepër vëmendje ndaj kësaj kategorie nga ana e strukturave përkatëse lokale e qendrore. Në mbështetje të tyre ka dalë edhe kreu i shoqatës Ramiz Hoxha. Ky i fundit deklaroi dje se pasi ka konstatuar vonesat e pagesave, ai ka kontaktuar me ministrinë përkatëse dhe se prej saj ka marrë përgjigjen se janë në pritje të lëvrimit të fondit. “Ka 3 muaj, që kjo shtresë nuk është përfshirë në pagesë. Janë bërë të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur këtë ngërç të krijuar, por deri tani nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Nëse nuk u jepet fund këtyre vonesave të krijuara, ne, si shoqatë do të përgatisim greva të njëpasnjëshme, madje do të hidhemi edhe në grevë urie”, u shpreh Hoxha.                   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›