Denoncimi i nënës: Mjekja më vrau djalin
Roland NikolliMësuesja nga Fushë-Kruja denoncon mjekët, duke i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e djalit të saj. Denoncimi është bërë dje në Prokurorinë e Tiranës ku Entela çela, me profesion mësuese, banuese në Fushë-Krujë, ka dorëzuar padinë e saj ndaj mjekëve, të cilët i akuzon si shkaktarë të vdekjes së djalit të saj Irild çela, vetëm 9 vjeç. Nëna e djalit, i cili ka humbur jetën në muajin shtator 2009 në spitalin e fëmijëve në Tiranë, pohon se gjithçka ka ndodhur pasi një infermiere mori guximin të përdorte tek 9-vjeçari, një ilaç të pa autorizuar nga mjekët. Ngjarja ka ndodhur në mesin e muajit shtator 2009. Entela çela, e cila është mësuese në Fushë-Krujë, atë ditë ka shkuar në shkollë bashkë me fëmijët. Djali nuk kishte paraqitur asnjë problem shëndetësor ndërsa ishin ditët e para që po frekuentonte klasën e katërt. Nëna e tij atë ditë kishte shkuar në shkollë me djalin, si dhe me dy vajzat. Entela çela thotë se pasi ka filluar mësimi, rreth orës 11:00 e kanë lajmëruar se djali ishte sëmurë. Disa mësues i kishin dhënë ndihmën e parë, ndërsa 9-vjeçari ishte i djersitur dhe me vështirësi në frymëmarrje. Nëna e Irildit pohon se bashkë me kunatin e saj e çuan djalin në spital në Fushë-Krujë. Mjekët i bënë aty një injeksion me ilaç ultrakorten, duke i thënë të ëmës se djali kishte një skuqje të lehtë të grykëve, për çka lëshuan recetë për marrjen e ilaçeve. Nëna e viktimës thotë se ja dha ilaçet në shtëpi djalit, por gjendja u përkeqësua. Pas kësaj 9-vjeçari është dërguar në spitalin e Krujës, ku mjekët i kanë bërë një avull me ventolinë, duke përmirësuar gjendjen e fëmijës. Aty fëmijës i është bërë edhe një serum, i cili ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së fëmijës. Në këtë kohë, mjekët i thanë të ëmës se djali vuante nga astma ndërkohë që ajo thotë se 9-vjeçari luante futboll vazhdimisht pa vështirësi, si dhe merrte pjesë në garat e vrapimit pa vështirësi. Me t’u përmirësuar gjendja e djalit, nëna e tij, thotë se ka vendosur bashkë me kunatin e saj ta sjellë të miturin nga Kruja në Tiranë. Sipas nënës së djalit, mbërritja në spitalin e fëmijëve është bërë në orën 06:30, ku pacienti është dërguar në katin e tretë. Djali është vizituar nga mjekja Luljeta Kote, e cila rekomandoi kryerjen e të gjitha analizave. Pas analizave, nëna e djalit kthehet te mjekja, e cila pohon se parametrat e pacientit janë brenda normales, por djali ka probleme me alergjinë. Pasi kishte marrë një mjekim me serum, djali ishte në gjendje të mirë, madje kishte dalë me të afërmit deri në oborrin e spitalit. Më pas, infermierja e turnit i vendos një serum, pasi djali kishte kërkuar të bënte një avull nga frika e bllokimit të frymëmarrjes. Nëna e djalit thotë se ka shkuar te dhoma e infermierëve, ndërkohë djali ishte në gjendje normale. Ajo ka kontaktuar me infermieren e turnit, e quajtur Irma, të cilës i ka thënë se kishte çuar djalin për t’i bërë avull. “Infermierja më tha ku e ke ventolinën dhe unë i thashë nuk e di, doktoresha Luljeta më ka thënë t’i blija një shurup dhe ja kam blerë”, thotë nëna e djalit. Sipas saj, infermierja menjëherë tha se spitali nuk ka ventolinë prej dy vitesh. Pas kësaj “i thashë se në orën 9:00 të mëngjesit, doktoresha i ka bërë avullin me ventolinën e saj, megjithatë po shkoj ta blej”, citon nëna e 9-vjeçarit. Sapo ajo ka tentuar të dalë nga urgjenca, infermierja i ka thënë të priste se do t’i merrte ca pika një pacienti tjetër. “U ngrit, më tha prit se e kam ilaçin këtu dhe më tha e kam adrenalinë. I thashë doktoresha më ka thënë ventolinë për avull dhe jo adrenalinë. Ajo më tha mos më mëso mua, unë jam mjeke e vjetër këtu dhe kanë të njëjtin efekt”, citon nëna e djalit. Në këtë moment, pas mjekimit me këtë ilaç, nëna thotë se djali thirri me një zë të mekur dhe të ngjirur, buza kishte filluar t’i nxihej, damarët e qafës i ishin ënjtur dhe sytë i ishin zbardhur, pasi kishte marrë avullin e dhënë nga infermierja me adrenalinë. Djali është vendosur në oksigjen ndërsa luftonte me vdekjen, pas rreth një ore në reanimacion, mjekët kanë njoftuar nënën për vdekjen e fëmijës. “Ilaçi i dha reaksion, djalit nuk i bënë autopsi”Fushë-Krujë – Nëna e 9-vjeçarit të vdekur në spitalin e fëmijëve në Tiranë ka pasur më parë edhe një tjetër fatkeqësi nga humbja e bashkëshortit në një aksident. Në banesën e saj, në një dhomë të veçantë ajo ka vendosur rrobat dhe sendet e djalit që humbi jetën në shtator, të cilin e kujton vazhdimisht. Nëna e 9-vjeçarit pohon se pas vdekjes së djalit, mjekët e thirrën për të marrë trupin ndërsa askush nuk bëri autopsi. Ajo thotë se me të afërmit, ia ka bërë me dije infermieres me emrin Irma, faktin se e akuzonte personalisht si shkaktare të vdekjes së djalit 9-vjeçar. Nëna e djalit ka kërkuar që ngjarja të hetohet, duke iu drejtuar Prokurores së Përgjithshme. Ajo rendit disa momente të dyshimta, të cilat sipas saj janë: zëvendësimi i ilaçit, doza e preparatit të vendosur në avull, mosdhënia e ndihmës së parë, pasi adrenalina shkaktoi reaksion, refuzimi për t’i bërë autopsinë fëmijës, dhënia e tri diagnozave nga tre mjekë të ndryshëm brenda 24 orëve, ndryshimi i menjëhershëm i gjendjes së fëmijës, nga normale në të rënduar deri në vdekje. Nëna e djalit i kërkoi Kryeministrit Berisha, Ministrit të Shëndetësisë, Urdhrit të Mjekut, që të marrin masa dhe të hetojnë rastin. Të njëjtën kërkesë kanë edhe motrat e 9-vjeçarit, Xhenisa 16 vjeçe dhe Oltjona 14 vjeçe. r.n