E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, plagosja e Dritan Dajtit po hetohet në Durrës

 TIRANE – Prokuroria po heton për personin e tretë që ndodhej në makinë me të shumëkërkuarin Dritan Dajti, më 7 gusht 2009, në momentin kur ai akuzohet se ka vrarë katër agjentë të sektorit të operacioneve speciale të policisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila dërgoi në gjykim dosjen e Dajtit me akuzën e vrasjes, ka ndarë më vete një procedim në lidhje me personin e katërt që ndodhej në makinën “Tuareg” të personit të shumëkërkuar. Para se të vriste policët, Dajti ka ndaluar makinën ndërsa po parkonte në afërsi të zonës së plazhit. Nga mjeti kanë dalë tre persona, Ledion Mara, mik i Dajtit, Erges Xhoxhi, kunati i të kërkuarit dhe një person i tretë. Ky i fundit është ndaluar nga efektivat e policisë, të cilët më pas u vranë nga Dritan Dajti. Për pasojë personi i tretë që ndodhej në makinë është larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas provave të mbledhura nga organi i akuzës, në hetimin e ri që po zhvillohet, miku i tretë i Dajtit ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa mbante një armë pistoletë në dorë. Nuk është e qartë nëse ai e ka përdorur këtë armë për të kryer qitje në vendin e ngjarjes, por konfirmohet se ai nuk është përfshirë në shkëmbimin e zjarrit. Sipas hetuesve, ky person rreth 1.80 i gjatë është ndaluar nga njëri prej oficerëve të vrarë nga Dajti. Agjenti i policisë e kishte shtrirë përtokë mikun e të kërkuarit, por Dajti ka qëlluar gjashtë herë mbi policin ndërsa personi i pa identifikuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Krahas hetimeve për këtë person, mësohet se në Prokurorinë e Durrësit është regjistruar dosja penale me akuzën e plagosjes së shtetasit Dritan Dajti. Ky procedim penal për akuzën e plagosjes, i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Durrësit, pasi vepra penale nuk është kompetencë e Krimeve të Rënda ndërsa ngjarja ka ndodhur në qarkun e këtij qyteti. Dritan Dajti u plagos me tre plumba gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Ai vrau dy prej tyre, pa zbritur ende nga makina, ndërsa qëlloi edhe dy agjentët e tjerë ndërsa po tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes. Gjatë të shtënave të Dajtit, prokuroria pohon se një plumb ka marrë edhe mikun e të kërkuarit Ledion Mara. Në këtë ngjarje të rëndë u ekzekutuan me armë agjentët e policisë Fatos Xhani, Kastriot Feska, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari.            tr.so    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›