E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, një dashuri argjentinase

www.albania-sport.com - Argjentinasi Luis Manuel Blanco, trajneri ende i pa deklaruar i Dinamos, e që ka marrë përsipër ndërtimin e skuadrës blu për aventurën e saj në Ligën e Kampioneve, për momentin ka një rol të paqartë te kanditatët për titullin e këtij sezoni, që do të jetë i 18-ti për blutë.

Shkëlqim Muça do të bashkohet përjetësisht në listën e kampionëve “blu”, e ku bëjnë pjesë Zihni Gjinali (6 herë kampion si trajner me Dinamon), Skënder Jareci (2), Durim Shehu (2),Zyber Konçi (1), Sabri Peqini (1), Stavri Lubonja (1), Fatmir Frashëri (1), Bejkush Birçe (1), Faruk Sejdini (1) dhe Ilir Daja (1), por e ardhmja e tij është me e pasigurt se kurrë.

Blanko në të parin prononcim zyrtar të të tij për mediat shqiptare përgëzoi trajnerin aktual të Dinamos, Shkëlqim Muçën për kampionatin e suksesshëm, ndëkohë që vetë ish-trajneri i Tiranës, u largua nga “Qemal Stafa” pa folur për shtypin pas humbjes së skuadrës së tij me Vllazninë (1-2), në herën e parë të tij qysh kur mori ekipin, më 9 shkurt të vitit 2009, pasi zëvendësoi të vetëdorëhequrin, kroatin Zllatko Daliç.

Në fakt, Blanko zyrtarisht e konsideron veten si një mik të presidentit të bluve, Besnik Sulajt, madje si një mik i vjetër i vëllait të tij, Mitatit, ndërkohë që askush që njeh ambientin blu nuk dyshon se ai do të jetë trajneri që do të përgatisë Dinamon në fushatën e Ligës së Kampioneve në edicionin 2010-2011, pas atij të dështuar në sezonin 2008-2009, kur blutë, atëherë nën drejtimin e një tjetër argjentinasi, Marcelo Havier Zuleta, u eliminuan nga skuadra boshnjake, Modrica, me dy humbje: 0-2 në Tiranë dhe 1-2 në Bosnjë, ndërkohë që gjatë edicionin të kaluar në Ligën e Europës u eliminua nga finlandezët e Lahtit (1-4, 2-0).

Blanko ka ndërmjetësuar pranë stafit të Dinamos edhe dy emërat e parë e përforcimeve për sfidat e radhës së Ligës së Kampioneve, argjentinasit Markos Britez Ojeda (mesfushor) dhe Huan Eduardo Martin (sulmues), që mund ta çojnë në gjashtë numrin e lojtarëve nga atdheu i Diego Maradonës dhe Lionel Mesit te Dinamo, duke marrë në konsideratë faktin se te blutë aktualisht janë, Lukas Malarkane, Rafel Soza, Nikolas Del Monte dhe Maksimiliano Timpanaro.

Dinamo, që në të kaluarën e saj është ndeshur edhe me Ajaksin, por dhe me Olimpikun e Marsejës, nuk e kalon turin e parë të një kompeticioni europian (Ligë e Kampioneve, Ligë e Europës, Kupa UEFA apo Intertoto), qysh nga edicioni 2002-2003, kur eliminoi në Ligën e Kampioneve, kampionen e Lituanisë, Kaunas (3-2, 0-0) e kur në drejtim kishte të mirënjohurin Faruk Sejdini.

Në fakt, Dinamo është skuadra shqiptare që ka pasur më shumë trajnerë të huaj në drejtimin e saj: shtatë të tillë, nga tre kombësi të ndryshme, rumune (1), argjentinase (3) dhe kroate (3).

I pari që i huaj që drejtoi te 17-herë kampionët e Shqipërisë ishte rumuni Aurel Cikleanu, një trajner me përvojë shumë të madhe në drejtim, por që rezistoi te Dinamo vetëm 7 muaj. Mbërriti në stolin blu, më 30 nëntor të vitit 2002. Gjithsesi, Cikleanu ia doli të fitonte Kupën në sezonin 2002-2003.

I dyti, kroati Luka Bonaçiç do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si “diktatori” i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006, pikërisht më 29 gusht 2005.

I treti, kroati Ivan Kataliniç. Nuk arriti të mbijetonte te Dinamo në sezonin 2005-2006. “Ivani i tmerrshëm” e nisi karrierën shqiptare me një ndeshje kundër Partizanit dhe u shkarkua si trajner i Dinamos, më 29 janar 2006, menjëherë pas humbjes 1-0 me të kuqtë në javën e 21-të të sezonit 2005-2006. E mori stolin nga Vasil Bici, më 13 nëntor 2005 dhe ia dorëzoi po Bicit, më 29 janar 2006.

I katërti, argjentinasi Pedro Pablo Paskuli erdhi me shumë bujë, më 15 janar 2005 në vend të “legjendës dinamovite” Faruk Sejdinit, por rezistoi vetëm dy muaj, pasi në mars të po këtij vitit i la vendin Agim Canajt.

I pesti, argjentinasi Ramon Kabrero, një emër i madh i trajningut në atdheun e Maradonës, kampion aktual në Argjentinë me Lanus, u përzgjodh nga presidenti Sulaj pas eksperiencave të dështuara me argjentinasin tjetër Paskuli. Kabrero drejtoi Dinamon 15 ditë, por në dy ndeshje në Kupën Intertoto 2006.

I gjashti ishte po një argjentinas, Marcelo Havier Zuleta (ne foto), i cili ka vendosur edhe një rekord absolut te Dinamo, pasi drejtoi skuadrën vetëm në një ndeshje ndërkombëtare të vlefshme për Ligën e Kampioneve, në humbjen 2-0 kundër Modricës në “Qemal Stafa”. Zuleta i mori vendin e punës Ilir Dajës, më 30 qershor 2008, por ia bëri dhuratë Zlatko Daliçit, më 28 korrik 2008.

I shtati nuk është askush tjetër, por kroati Zlatko Daliç. Vetëm 19 javë nën drejtimin e bluve, por i larguar nga Shqipëria me një trofe të “vockël” si Superkupa e Shqipërisë, kur Dinamo e drejtuar prej tij fitoi 2-0 me Vllazninë.

Pikërisht këtij të fundit, pas 19 javëve kampionat, Shkëlqim Muça, njeriu që i dha titullin e 23-të kampion Tiranës i zuri vendin pas largimit të kroatit për shkak të dy humbjeve të dëshpëruara në derbin me Tiranën (2-4) dhe Partizanin (1-0).

Shkëlqim Muça është duke i dhënë titullin e 18-të Dinamos në 60 kampionate ku ajo ka marrë pjesë, dhe parimisht askush nuk mund të ketë moralin për të mos rinovuar me trajnerin kampion.

Por historia blu dëshmon një fakt të trishtueshëm. Ilir Daja, trajneri i fundit kampion me Dinamon (2007-2008), u votëbesua nga presidenti Besnik Sulaj, por më 30 qershor 2008, ai u shkarkua dhe u zëvendësua nga një argjentinas të quajtur Marselo Havier Zuleta, rezistenca “ndërkombëtare” e të cilit ishte vetëm një ndeshje, ajo në humbjen 0-2 me Modricën në “Qemal Stafa”, pasi në takimin e kthimit drejtoi zëvendëstrajneri Artan Mërgjyshi, por me këshillat nga tribuna të kroatit Zllatko Daliç, njeriun që ka zëvendëesuar Shkëlqim Muça.

Të gjitha lëvizjet te Dinamo nga viti 2002

9 shkurt 2009
Shkëlqim Muça zëvendëson Zllatko Daliçin

5 shkurt 2009:
Zllatko Daliç jep dorëheqjen nga Dinamo

28 korrik 2008:
Zllatko Daliç në vend të Marselo Havier Zuletës

30 qershor 2008:
Marselo Havier Zuleta në vend të Ilir Dajës

23 shkurt 2008:
Ilir Daja në vend të Agim Canajt

verë 2007: Agim Canaj në vend të Redi Jupit

25 tetor 2006:
Redi Jupi në vend të Farruk Sejdinit

verë 2006:
Farruk Sejdini në vend të Vasil Bicit

27 mars 2006:
Vasil Bici në vend të Sulejman Demollarit

14 mars 2006:
Sulejman Demollari në vend të Vasil Bicit

15 shkurt 2006:
Vasil Bici në vend të Luka Bonaçiçit

29 janar 2006:
Luka Bonaçiç në vend të Ivan Kataliniçit

13 nëntor 2005:
Ivan Kataliniç në vend të Vasil Bicit

29 gusht 2005:
Vasil Bici në vend të Luka Bonaçiçit

verë 2005:
Luka Bonaçiç

mars 2005:
Agim Canaj në vend të Pedro Pablo Paskulit

15 janar 2005:
Pedro Pablo Paskuli në vend të Farruk Sejdinit

verë 2004:
Farruk Sejdini

20 shkurt 2004:
Vasil Bici në vend të Sulejman Demollarit

4 tetor 2003:
Sulejman Demollari në vend të Andrea Markos

verë 2003:
Andrea Marko

8 maj 2003:
Edmond Zhupa në vend të Aurel Cikleanut

30 nëntor 2002: Aurel Cikleanu në vend të Faruk Sejdinit

verë 2002:
Faruk Sejdini


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Hene, 12 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›