Dinamo, një gol larg ëndrrës
Dash Frashëri
Dinamo u duk se ishte shuamë pranë realizimit të një përmbysjeje epike të një deficiti prej tre golash kundrejt finlandezëve të Lahtit (2-0), falë dy golave të realizuar nga mbrojtësi gjigant Pape Diop (13’ e 70’), por që rezultuan të pamjaftueshëm për t’i çuar blutë e Besnik Sulajt (premtoi 50 mijë USD për kualifikimin) në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës, pasi Lahti kishte fituar ndeshjen e parë 4-1 (4-3 rezultati i përgjithshëm i dy takimeve). Dinamo u bë kështu skuadra e parë shqiptare që i dha lamtumirën Europës.
Pjesa e parë
Dinamo ushtroi presion nga minuta e parë në drejtim të portës finlandeze, kur pas ekzekutimit të goditjes së këndit nga Elis Bakaj (2’), Bekim Kuli, autori i golit të vetëm të Dinamos në Finlandë, u përpoq të shënonte sërish në “Qemal Stafa”. Lahti reagoi dhe Litmanen brenda dy minutash ekzekutoi dy goditje rresh nga këndi (4’ dhe 5’), përpara se Haara, edhe ky një golashënues në ndeshjen e parë, të godiste portën e mbrojtur nga Kotori në minutën e 6-të. Dinamo u rikthye në zotërim të mesfushës, dhe pas përpjekjeve të Bakajt (9’), Pishës (11’), Allmuçës (11’), erdhi edhe goli i parë i bluve shqiptarë, që pati autor jo një sulmues, por një qendërmbrojtës, senegelazin gjigant Pape Diop, i cili u zhyt me gjithë top në rrjetë në minutën e 13-të. Shifrat e përgjithshme, përfshirë dhe takimin e parë shkuan në 4-2, duke i dhënë më shumë shpresë vijës së parë dinamovite në kërkim të golave të tjerë dhe përmbysjes së rezultatit. Mesfushori Gentjan Muça shfaqet me një goditje drejt portës (17’), ndërkohë që sërish shtatlarti Diop, përpiqet pesë minuta më pas të realizojë golin e dytë për Dinamon, për t’ia lënë radhën Sead Haxhibuliçit në minutën e 29-të. Diop mund të kishte shënuar në minutën e 41-të, por topi i goditur prej senegalezit preku shtyllën, duke e kursyer skuadrën finlandeze nga pësimi i golit të dytë. Pjesa e dytë u mbyll me përpjekjet e Elis Bakajt, si nga goditja e këndit ashtu dhe ajo e lirë në të 45’+2.
Pjesa e dytë
Trajneri Muça e nisi me një zëvendësim fraksionin e dytë, duke hedhur në fushë sulmuesin Sebino Plaku në vend të Bekim Kulit (u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në minutën e 17-të). Nga ana e tij, trajneri i Lahtit, Ilka Makela, zëvendësoi kosovarin Driton Shala me Pjesa e dytë ka qenë e ashpër, kjo u pa qartë edhe nga kartonët e verdhë të dhënë nga gjyqtari grek Vasilios Pamporidis: Allmuça (Dinamo), Putincani (Dinamo), Fofana (Lahti). Goli i dytë për mban firmën e askujt tjetër, por sërish te senegalezit Pape Diop, i shndërruar në një gjahtar të jashtëzakonshëm, duke dyfishuar shifrat në minutën e 70-të e rritur në maksimum adrenalinën në “Qemal Stafa” e të një publiku entuziast në kërkim të golit të tretë blu, që do të sillte edhe kualifikimin. Tri minuta më pas ishte Haxhibuliç që shenjëstroi portën finlandeze të mbrojtur nga Szentpeteri, i ndëshkuar më pas edhe me një karton të verdhë. Trajneri Muça bëri edhe zëvendësimin e tretë, duke futur në fushë mesfushorin Ferraj në vend të mbrojtësit Vrapi (78’), por përpjekjet si të Bakajt me dy goditje të lira (82’, 85’) ashtu dhe të Plakut në minutën e 89-të, nuk prodhuan golin e tretë dhe kualifikimin e shpresuar të Dinamos, që u shfaq në “Qemal Stafa” agresive, ndryshe nga apatia e një jave më parë në Finlandë. Përfundimisht me rezultatin e përgjithshëm 3-4 për Lahtin, Dinamo i dha fund aventurës së parë në Ligën e Europës, duke mos e kaluar dot turin, kur për herë të fundit e ka realizuar në edicionin 2002-2003 në Ligën e Kampioneve përballë Kaunasit.
Cana te Hamburgu për 12 milionë euro
Mediat franceze raportuan se transferimi i Lorik Canës te Hamburgu do të finalizohet në shumën e 12 milionë eurove, më e shtrenjta e paguar për një lojtar shqiptar në merkaton evropiane. Kapiteni aktual i Olimpikut të Marsejës, sipas gazetës franceze “La Provance”, duhet të nënshkruajë për klubin e njohur gjerman brenda kësaj jave. Loriku u shtohet kolonisë shqiptare që kanë luajtur në kampionatin gjerman, si Altin Lala, Ervin Skela, Edmond Kapllani, Fatmir Vata, teksa tri vite me parë te Hamburgu ka luajtur edhe Besart Berisha, përpara se ky i fundit të transferohej në Angli të Bërnli i Championship-it (kategoria e dytë angleze). Për Lorikun, Hamburgu shënon klubin e tij të katërt në karrierën e tij futbollistike pas fillimeve me Lausane Sport në Zvicër (ende një fëmijë), Paris Sën Zhërmenin e Olimpikun e Marsejës, ku u dallua si lojtar me vlera dhe fitoi një personalitet në Francë.
Kastrati, pranë firmës me Dinamon
Bekim Kastrati, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare në kohën e e Hans Peter Brigelit e Oto Bariçit, duket se ka fituar për momentin një vend te Dinamo e Drezdenit. Lajmi jepet nga faqja online e tabloidit popullor gjerman “Bild”. 30-vjeçari Kastrati, ka luajtur më parë në Bundesligë me Borusian e Mynshengladbahut (4 ndeshje) dhe Eintraht Braunshvajgun në Bundesligën 2 (6 ndeshje).
Kristiano Ronaldo shet tre makina
“Kanë timonin nga e djathta”. Ja përse Kristiano Ronaldo ka vendosur të shesë tre nga makinat e tij më të shtrenjta nga koleksioni i tij. Ylli i ri i Realit të Madridit i ka besuar një agjencie shitje automobilash në Mançester të “heqë qafe” makinat e tij në versionin anglez, përmes sitit të specializuar “AutoTrader”. Makinat janë një “Porsche 911” (tashmë të shitur për 70 mijë euro), një “Bentley Continental GT Speed” (me çmim të vendosur 116 mijë euro) dhe një “Mercedes C220 CDI” (12 mijë euro).
10 Korrik 2009