E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet programi i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës



Petrika GROSI
Ende i paqartë programi i grupeve që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, teksa në 24-29 shtator pritet zhvillimi i këtij evenimenti që mbahet një herë në katër vjet. Për këtë arsye, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku ka lëshuar dje ultimatumin për të gjitha qarqet që më përjashtim të Shkodrës, nuk e kanë përcaktuar ende grupin që do të përfaqësojë trevat përkatëse në festival. “Ju ritheksoj edhe njëherë se shikimi nga ana e komisoneve përzgjedhëse të koncerteve të çdo qarku duhet të përfundojë brenda muajit korrik 2009, kjo për mirëorganizimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie të rëndësishme kombëtare. Këtë kërkesë e ka realizuar deri tani me shumë sukses vetëm qarku i Shkodrës. Qarku i Elbasanit do ta organizojë më 17 korrik, qarku Gjirokastër më 23 korrik dhe qarku i Vlorës më 24 korrik”, është shprehur ministri Turku, duke vijuar se “Qarqet e Korçës, Fierit, Lezhës, Kukësit, Dibrës, Durrësit, Tiranës dhe Beratit ende nuk e kanë caktuar datën e paraqitjes së grupeve të tyre folklorike para komisoneve përzgjedhëse, e cila detyrimisht, e përsëris edhe njëherë, duhet të jetë brenda muajit korrik.” Kjo veprimtari e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore kombëtare do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, etj. FFK synon edhe gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit muze të Gjirokastrës e të zonave rreth saj në veçanti, duke përcjellë te spektatorët dhe vizitorët vendas e të huaj kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare. Gjithashtu, propagandimi dhe popullarizimi i këtij festivali pritet të nxisë edhe më tepër turizmin kulturor dhe shtimin e vizitorëve vendas e të huaj në monumentet e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ndryshimet e statusit të FFK-së

Shtohet numri i artistëve të grupeve dhe minutazhi intepretativ

Që çdo grup të përfaqësojë me nivel vlerat që përmban folklori i zonës së qarkut përkatës, MTKRS-ja ka vendosur që në këtë edicion të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qenë ky numër në Festivalet e tjera, ndërkohë që edhe koha e interpretimit do të jetë 30 minuta, nga 20 që ishte më parë.
Këto kushte do të jenë rigorozisht të kontrolluara nga juria e FFK. Gjithashtu, për çdo qark do të jepen 200 mijë lekë më tepër se më parë, pra, nga 500 mijë lekë që ishte në të kaluarën, kjo shumë shkon në 700 mijë lekë. Destinacioni i kësaj shtese mendohet që të përdoret për të përmirësuar kostumet popullore, si dhe për të mirëbajtur instrumentet muzikore.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›