Maqedoni, Parlamenti mblidhet për të votuar anëtarët e rinj të Qeverisë
Në qeverinë e Maqedonisë do të ketë 5 ministra të rinj. Ndryshimet në kabinetin e Gruevksit do të zyrtarizohen sot në orën 11.00 kur Parlamenti do të mbledhë seancën për të shkarkuar dhe emëruar anëtarët e Qeverisë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, ai i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave, Pero Stojanovski dhe Aco Spasenoski, dhanë dorëheqjen para dy ditëve, ndërsa javën e kaluar dha zëvendëskryeministri Ivica Bocevski. Zyrtarët nuk dhanë arsye për ndryshimet. Njoftimet thonë se Kryeministri Nikolla Gruevski kishte shkarkuar ministrin e Financave. Drejtori i deritanishëm i Kadastrës së Shkupit Nikolla Todorov do të jetë ministër i ri i Arsimit dhe Shkencës. Zoran Stavrevski mbetet nënkryetar i Qeverisë, por do të propozohet edhe për ministër të ri të Financave. Vasko Naumovski do të jetë zëvendëskryeministri i ri për çështje europiane. Zëvendëskryeministër i ri për ekonomi do të jetë Vlladimir Peshevski, drejtor i deritanishëm i Fondit SEAF. Për ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave është propozuar Lupço Dimovski, zëvendësministër i deritanishëm i Transportit dhe Lidhjeve. Perica Ivanovski do të jetë zëvendës i Dimevskit.
10 Korrik 2009