E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani: “Ja receta e shpëtimit të Kievos”



Dash Frashëri

“Thjeshtësi, kompaktësi dhe vëmendje e posaçme, kjo e fundit jashtëzakonisht e domosdoshme, për të shmangur handikapin e sezonit të kaluar”. Kjo është receta e shpëtimit që propozon Erjon Bogdani për skuadrën e tij, Kievon, duke mos harruar të tregojë për gazetën veroneze “L’Arena’, as historinë e tij personale, të mbushur, sipas tij, me krenari. Një krenari, që i ka lejuar “Princit të Epirit” të “driblojë” edhe kritikët më të këqij të tij, të cilët e shihnin si një lojtar të panevojshëm për Kievon. Në ditët e para të grumbullimit me skuadrën e tij, Bogdani duket mjaft i qetë, por i karikuar për të bërë një sezon të madh. “Këtë vit duhet të rinisemi, nga ajo që bëmë në janar, kur arritëm të ingranonim marshin e duhur e duke vendosur në vështirësi mjaft skuadra, përfshirë edhe ato që luanin për titull”.

Dhe në fund ia dolët të mbijetonit në Serinë A, edhe pse vuajtët.
Vuajtja ishte e natyrshme, por mund të bëjmë më mirë akoma.

Zgjimi i skuadrës erdhi në janar, ndërsa juaji në mars, në ndeshjen Lacio-Kievo (Bogu shënoi gol në atë takim).
Po u rinisa nga ai moment, duke ditur se tashmë jam gati, sa më shpejt që të jetë e mundur. Më pas do të jetë trajneri ai që do të vendosë.

Po cili ishte sekreti i atij shpëtimi të jashtëzakonshëm në sezonin e kaluar?
Duhet të rikompaktësojmë grupin. Është ky faktori thelbësor që e mbajti Kievon në Serinë A. Dhe që mund të na lejojë të kompletojmë një mrekulli tjetër.

A është përgatitur Bogdani për ta rinisur kampionatin me një bluzë titullari?
Nuk mund të përgjigjem. Unë mund të them vetëm se kërkoj në formën optimale sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, fiziku im nuk më lejon të arrij në top-formë, ashtu siç mund të ndodh me të tjerët. Gjithsesi, në fillim dukem si i lodhur, por ju garantoj se në javën e kampionatit do të jem gati. Pastaj, siç e kam thënë edhe me parë, për këtë do të vendosë Di Karlo.

Zërat e merkatos, së bashku edhe me disa kritika ndaj jush, nuk munguan as kësaj vere. Si i komenton Bogdani ato?
Jam i mësuar të lexoj tratativa që më referohen. Dhe për më tepër jam mësuar edhe me ata që nuk më konsiderojnë si një lojtar të Kievos, dhe për më tepër të Serisë A. Por, deri tani, kam dëshmuar të kundërtën. Dhe do të vazhdoj ta bëj.

Në letër keni vitin e fundit të kontratës me Kievon. Me çfarë shpirti do të luani? Çfarë doni të dëshmoni akoma?
Për të ardhmen time nuk di asgjë. Nga ana tjetër dëshiroj thjesht të dëshmoj mund ta vesh akoma këtë bluzë. E përsëris: sezonin e kaluar, duke luajtur pak dhe shënuar vetëm një gol, besoj se dhashë një sinjal të rëndësishëm. Mund të qëndroj akoma në Serinë A.

Cilët janë rivalët e rinj në rrugën drejt shpëtimit?
Ne duhet të shohim vetëm veten tonë. Edhe gjatë vitit të kaluar problemi ishte vetëm i yni. Tani e kemi verifikuar forcën tonë, ke mi parë që mund të vendosim në vështirësi këdo.

Në këtë sintezë, çfarë ka të re në recetën e shpëtimit sipas Bogdanit?
Para së gjithash shërben thjeshtësia, ajo që dha vetëdijen e duhur në kampionatin e kaluar. Pastaj llogaritet shumë kompaktësia e grupit. Të gjithë kanë dhënë një kontribut thelbësor për të qëndruar në Serinë A, edhe pse mund të ketë qenë në bankinë apo në tribunë. Dhe për më tepër nuk na lejohet të përsërisim një tjetër nisje të mangët. Një vit më parë gabuam në shumë ndeshje, duke e bërë thuajse të pamundur rikuperimin.

Dhe cila është receta personale e Erjon Bogdanit?
Forca ime lind nga vetja ime dhe nga familja ime, mbështetja e së cilës ka qenë gjithmonë përcaktuese. Nuk s’qullem nga kritikat, kanë qenë të shumta, por unë jam akoma një lojtar i Serisë A. Krenaria? Sigurisht, dhe ajo ka qenë vendimtare. Por gjëja më e bukur erdhi më pas, kur shpëtimi u arrit, të gjithë me mbuluan me komplimente.

Një fjalë lidhje me kapitenin (Pelizierin), i cili është dhe shoku tënd i repartit (të sulmit). Si do të përfundojë telenovela e merkatos? Pelizier do të ikë apo do të qëndrojë?
Sipas meje do të qëndrojë. Nuk mund ta shoh asgjëkund tjetër. Ai është flamuri i Kievos.

Xhemaili, pranë Fiorentinës

Shqiptari Blerim Xhemaili, aktualisht në forcë me Torinon e rënë në Serinë B, mund të transferohet te Fiorentina në Serinë A. Felipe Melo do të largohet nga “vjollcët”, dhe mesfushori 23-vjeçar nga Maqedonia, shihet si zëvendësuesi ideal i tij. Xhemaili ka qenë i kërkuar gjatë këtij viti edhe nga Napoli, Udineze, Juventusi, Sampdoria, Lacio e Bari. Torino bleu kartonin e Blerimit nga Uest Bromuiçi. Xhemaili pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, deri në vitin 2013, duke përfituar 1 milion euro në sezon.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›