E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo nuk arrin te fitoje as kete jave ne Superligen shqiptare

Zjarri nuk ka ndërmend të ndizet që Dinamo të ngrohë këmbët e të nisë të vrapojë. Nuk ka fitore, nuk ka gola dhe natyrshëm fundi i tabelës mbetet pronë blu. As ndaj Shkumbinit, djemtë e “xhaxhit” Farruk Sejdini s’ia dolën të merrnin 3 pikët, ndonëse luajtën në kryeqytet.

Mërzia sundoi në pjesën e parë në “Selman Stërmasi”, me vendasit që nuk kishin forcë dhe frymëzim për të krijuar lojë dhe me peqinasit që ishin të kënaqur të mbanin ndeshjen në barazim.

Shumë pak cilësi në një fushë gjithashtu jo të mirë, ndërsa të dyja skuadrat e kishin të pamundur që të mblidhnin disa pasime radhazi pa gabuar.

Gjithsesi, pjesa e dytë ishte tjetër dhe për meritë të Dinamos. Duket se psikologjia e trajnerit me përvojë, Sejdini, bëri të vetën dhe lojtarët e tij dolën të tjetërsuar nga dhoma e zhveshjes.

Në 48’, portieri mik Kotorri shpëtoi portën e tij nga një gol i sigurt, me një ndërhyrje të shkëlqyer, ndërsa topi po i afrohej rrjetës fare pranë shtyllës.

Vetëm 80 sekonda më pas, Klodian Asllani shpërdoroi një kundërsulm blu, duke e kontrolluar shumë keq topin që i iku nga zotërimi.

Më tej, në 51’ ishte radha e Shkumbinit të përgjigjej, por gjuajtja e Dervishit u grushtua nga Osmani. Por, më shumë kishte Dinamo. Në 57’, Kuli mund të kishte shënuar, por gaboi dhe Kotorri largoi topin guximshëm, madje u dëmtua.

Megjithatë, forcat nisën të shteronin dalë nga dalë dhe në minutën e 61-të ishte Ariel Shtini që provoi thuajse për herë të fundit, por goditja e tij me kokë përfundoi jashtë.

Dinamo pati energji për të tentuar golin edhe 6 minuta para fundit, me një gjuajtje nga largësia aspak të keqe, por të pamjaftueshme për të shënuar. Pra 0-0 dhe -1 pikë në renditje pas 5 javësh kampionat. Më keq se kaq nuk mund të shkojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›