E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari vuan vetëm 45 minuta, për tri pikët mendon Hysa

Nga Vlora, Elton NIKA

Flamurtari Pogradeci    2-0      

Shënues: Hysa 56, 92

Flamurtari: Spaho, Sakaj, Veliu, Rajoviç, Abraham, Kuqi, Shtubina (Arbri 65), Progni (Liçaj 78), Lena, Hysa, Brkiç (Shehaj 59).

Trajner: E. Lutaj.

Kartonë të verdhë: Lena

Pogradeci: Petrovski, Kllogjeri, Lako, Çerepi (Jahaj 85), Binishi, Elmazi, Nastevski (Drazhanin 65), Çipi, Tanushi (Çela 62), Eminhazeri, Saviç. Trajner: Y. Çekiçi.

Kartonë të verdhë: Binishi, Elmazi

Gjyqtarë: L. Mustafaraj, A. Pregja, E. Barushi (Tiranë)

Radiografia

1- Goditje këndi, Progni harkon në zonë, Kuqi i lirë godet me kokë, por jashtë.

12- Brkiç brenda zonës gjen Hysën, ky i fundit godet menjëherë, topi përfundon në traversë dhe jashtë.

19- Progni pason për Lenën, që kërkon Hysën, por shumë pranë portës ndërhyn Lako, duke larguar rrezikun.

27- Goditje dënimi për Flamurtarin, Progni harkon në zonë, mes rrëmujës Brkiç gjendet pranë portës, por gjuajtja e tij është shumë e lehtë.

42- Lena ka mundësi pranë zonës, gjuan fort, por topi përplaset te një mbrojtës.

43- Top në zonë që harkohet nga krahu i djathtë, Eminhazeri godet bukur me kokë, por Spaho pret i sigurt.

44- Brkiç pranë portës godet, topi përplaset në shtyllë, përfundon te Hysa, edhe ky i fundit gjuan menjëherë, por sërish shtylla mohon golin.

56- Shtubina është i lirë në krahun e djathtë, topi shkon te shkodrani, që kroson menjëherë në zonë, Hysa i lire godet me gjoks dhe shënon, 1-0 për Flamurtarin.

69- Veliu ekzekuton një goditje dënimi drejt në portë, Petrovski largon në korne.

75- Goditje këndi për Pogradecin, topi harkohet në zonë, Çipi i lirë gjuan, por pret Spaho.

77- Provon këtë radhë Elmazi nga një goditje dënimi, por jashtë portës.

83- Abri krejt i vetëm gjuan krejt gabuar mbi tra.

86- Lena preferon të godasë vetë, pret Petrovski.

92- Lena gjen të lirë Hysën, që avancon, kalon edhe portierin dhe, me portën bosh, shënon golin e dytë personal dhe të dytin për Flamurtarin, 2-0.

Komenti

Flamurtari sërish është i pagabueshëm në shtëpi, ku nuk njeh rezultat tjetër veç fitores. Kështu ka ndodhur edhe ndaj Pogradecit, ku dy golat e sulmuesit Vilfor Hysa i kanë dhënë fitoren e ngjisin ekipin vlonjat në kuotën e 9 pikëve, duke qenë mes ekipeve të kreut dhe vetëm një pikë më pak se Tirana që kryeson. Është zhbllokuar edhe sulmi, pasi të dy golat janë shënuar pikërisht nga një sulmues. Por, në fakt, duhet të ishin shënuar më shumë gola, pasi kujtojmë që tri herë topi është përplasur në shtyllë. Gjithsesi, ndoshta tifozët kanë pritur goleadë, por për stafin dhe drejtuesit, rëndësi më shumë ka tripikëshi dhe çlirimi i sulmit.

Pjesa e parë Ndeshja nis shumë e shpejtë për Flamurtarin. Është vetëm minuta e parë dhe Kuqi ka mundësinë më të mirë për të shënuar, por gjuatja e tij përfundon jashtë. Është ndoshta sinjali që tregon se do të ketë një Flamurtar agresiv. Dhe kështu ka ndodhur: vlonjatët sulmojnë vazhdimisht, ndërsa Pogradeci mbrohet mirë. Hysa nuk shënon në minutën e 12-të, pasi është traversa ajo që pengon sulmuesin. Flamurtrai vijon të shtyjë përpara, miqtë arrijnë të mbrohen mirë dhe duket se ja arrijnë qëllimit. Pavarësisht rasteve që pasojnë njëri-tjetrin, goli mungon dhe kjo duket se krijon presion te Flamurtari. Pjesa e parë është në vijëmësi me sulme nga Flamurtari dhe mbrojtje nga miqtë, të cilët tregohen të kujdesshëm, duke mos lejuar pësimin e golit. Do të duhej minuta e 43-të kur Pogradeci ka shënuar rastin e parë, por goditja me kokë e Eminhazerit nuk është e vështirë për Spahon. Minuta e 44-t shënon rastin më të bukur të pjesës së parë. Serbi Brkiç, pranë zonës, gjuan, topi prek shtyllën, më pas traversën dhe përfundon te Hysa, ky i fundit gjuan në gjysëmkthesë, por prapë shtylla i mohon golin.

Pjesa e dytë Nis me të njëjtët lojtarë në fushën e lojës dhe pas pak vlonjatët pretendojnë për penallti, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor, që akordon vetëm goditje këndi. Minuta e 56-të sjell edhe golin e parë dhe takimi zhbllokohet. Është Hysa, një nga më të mirët në fushën e lojës, që shënon pas pasimit të saktë të Shtubinës. Gol që sjell qetësi në kampin vlonjat, ndërsa të dy trajnerët nisin të kryejnë zëvendësimet. Pas golit, Pogradeci kupton se nuk ka më çfarë të humbë dhe duket sikur zgjohet, por sulmuesit nuk janë në gjendje të rrezikojnë seriozisht portën e Spahos. Flamurtari nga ana e tij ka sërish mundësi të shënojë me Brkiçin, Liçajn dhe Lenën, por goditjet e tyre janë të gabuara. Gjyqtari i katërt sinjalizon katër minuta shtesë dhe, në minutën e 92-të Hysa shfrytëzon një tjetër mundësi, duke kaluar edhe portierin dhe duke realizuar golin e dytë të ndeshjes. Përfundimisht, gjithçka mbyllet me fitoren e Flamurtarit, me vlonjatët që kanë vuajtur jo pak për të shkuar te goli, pavarësisht se kanë dominuar gjithë takimin. Flamurtari e luan sërish në shtëpi ndeshjen e radhës në kampionat, këtë herë ndaj Vllaznisë, duke kërkuar të vijojë me serinë e fitoreve në shtëpi. Ndërsa edhe Pogradeci do të luajë në shtëpi një javë më vonë, ku pret Shkumbinin.

Lutaj: Nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë

Kemi arritur një fitore mjaft të merituar. Kemi pasur mundësinë që ta zhbllokonim ndeshjen qysh në pjesën e parë, kemi goditur katër herë shtyllën dhe dukej se fati nuk ishte në anën tonë. Gjithsesi, në pjesën e dytë kemi realizuar dy herë, duke marrë kështu tri pikë, që ishin edhe objektivi ynë për këtë ndeshje. Siç edhe e patë, Flamurtari e dominoi atë krejtësisht gjatë gjithë 90 minutave, dhe kjo u duk qartë në rastet e regjistruara. Tani mund të mendojmë për ndeshjen e radhës, ku do të luajmë sërish në shtëpi në një takim më të vështirë, përballë Vllaznisë. Me lojën e treguar dhamë një sinjal se jemi në rrugë të mbarë, por nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë raste në një ndeshje.

 

Çekiçi: Nuk ishte e thënë të merrnim një pikë

Me pak fat mund të kishim dalë nga Vlora me një pikë, por ky është futbolli. Gjithsesi, mendoj se Flamurtari e meritoi fitoren, duke u nisur nga ajo që dhanë të dyja skuadrat në fushën e lojës. Objektivi i Pogradecit për këtë sezon dihet: kërkojmë të jemi në mesin e artë të renditjes dhe, për ta realizuar këtë objektiv na duhet akoma shumë punë. Sot (dje) në Vlorë kishim ardhur me objektiv të qartë dhe në pjesën e parë ia arritën qëllimit, por nuk ishte e thënë të dilnim me rezultatin që kërkuam. Tashmë na mbetet te mendojmë për ndeshjen e radhës, por fillimisht kemi kupën përballë Teutës dhe më pas në kampionat do të jemi përballë Shkumbinit në fushën tonë, ku duhet të kthehemi patjetër te fitorja.

Të veçanta

- Takimi është luajtur në një atmosferë të ftohtë, ndërsa nuk ka munguar edhe era e fortë që ka shoqëruar të gjithë ndeshjen.

- Trajneri Lutaj është larguar menjëherë pas ndeshjes për të ndjekur takimin Vllaznia-Tirana, pasi, siç dihet, shkodranët janë kundërshtari i radhës i Flamurtarit në Vlorë.

- Ka qenë jo shumë i lartë numri i sportdashsve në shkallët e stadiumit Flamurtari.

- Hysa është vlerësuar si lojtari më i mirë në fushën  e lojës, jo vetëm për dy golat e shënuar. Sulmuesi ka goditur edhe dy herë shtyllën, ndërsa ka qenë lojtari më i rrezikshëm për  kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›