E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo prenoton Kovaçiç për pankinën në të ardhmen

• Darko Kovaçiç dhe Dinamo shumë shpejt mund të lidhen me njëri-tjetrin.Edhe pse jo në rolin e trajnerit, ish-ndihmësi i kroatit Oto Bariç në drejtimin e Kombëtares shqiptare, mund të jetë shumë shpejt një nëpunës i dinamovitëve, për të marrë në një të ardhme edhe drejtimin e skuadrës, aktualisht në vend të parë në kampionat. Një mundësi që konfirmohet nga ana e menaxherit shqiptar të trajnerit kroat, Adrian Aliaj, por që nuk jep siguri për përfundimin me sukses të kësaj tratative. Edhe vetë i interesuari, megjithëse nuk ka pasur asnjë kontakt dhe asnjë ofertë konkrete, është shprehur i kënaqur për mundësinë e drejtimit të një skuadre që është duke synuar titullin dhe në verë, nëse përfundon kampionatin në këto pozita, do të jetë pjesëmarrëse në turneun e eliminatorëve të Ligës së Kampionëve. Vendosja e Kovaçiç në krye të pankinës dinamovite do të ndodhë vetëm sezonin e ardhshëm, mbasi për momentin drejtuesit e bluve kanë besim të plotë te Ilir Daja dhe mendojnë se do të fitojnë titullin me trajnerin, i cili herën e fundit që ka drejtuar, ka fituar titullin në 2004-2005 me Elbasanin. I kontaktuar me anë të telefonit, trajneri kroat për momentin është duke kaluar një periudhë pushimi, ndonëse dëshira për të marrë drejtimin e një skuadre është shumë e madhe. Tekniku është befasuar nga lajmi për një interesim të Dinamos, megjithatë shprehet i gatshëm për të marrë drejtimin e kryesuesve të kampionatit. “Është një interesim që po e marr vesh vetëm prej jush, është komenti i parë i kroatit, megjithatë do të ishte një nder dhe kënaqësi për mua drejtimi i një ekipi si Dinamo, që kryeson kampionatin dhe është kandidate kryesore për ta fituar atë titull. Mua nuk më ka kontaktuar asnjeri dhe nuk mund të them asgjë konkrete në lidhje me këtë çështje, por nëse oferta do të vinte, do ta pranoja me shumë dëshirë”, shprehet kroati.Gjoba për më të paguarit Klubi i Dinamos duket se është përfshirë nga një krizë e thellë. Presidenti i bluve, Besnik Sulaj, pas shkarkimit nga pankina e trajnerit Agim Canaj fundjavën e kaluar, ka evidentuar një sërë problemesh në skuadër. Burime të sigurta nga kampi blu kanë bërë të ditur dje për “Panorama”, se do të merren masa të menjëhershme, ku një prej tyre mësohet të jenë gjobat, kryesisht për lojtarët më të mirëpaguar në skuadër. Dinamo kryesuese humbi me rezultatin e ngushtë 0-1 në derbi ndaj Partizanit, të njëjtat burime u shprehën se impenjimi i lojtarëve ka qenë i dobët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›