Laudrup: Shqipëria do jetë faktor në Grupin 1
• Getafe është një nga skuadrat surprizë në Spanjë gjatë sezoneve të fundit, por dy yjet më të mëdhenj të saj janë ndoshta ata që e drejtojnë nga stoli, Mikael Laudrup dhe Xhon Jensen.Nga Athina/ Drini ÇaushiNë drejtimin e Getafes, dyshja daneze erdhi në Athinë të Greqisë, për ndeshjen me AEK-un, në Kupën UEFA. Në hollin e Hotel Interkontinental të Athinës, dy danezët e famshëm u treguan shumë të përzemërt e të gatshëm për të folur për një gazetë shqiptare, edhe për faktin që kombëtarja e tyre dhe ajo kuqezi do të ndeshen me njëra-tjetrën për kualifikueset e botërorit afrikanojugor. Danimarka juaj do të jetë në një grup me Shqipërinë. Si do t’i konsideronit kualifikueset, teksa aty janë Suedia e Portugalia?Është një grup shumë i vështirë, jo vetëm për Danimarkën, por edhe për Portugalinë e Suedinë që konsiderohen si favoritet kryesore për t’u kualifikuar. Besoj se këto tri skuadra do të jenë pretendente deri në fund për të zënë dy vendet e para dhe mendoj se kualifikimin do ta arrijë ajo skuadër që do të gabojë më pak në ndeshjet e ashtuquajtura të lehta. Ju kujtoj se Danimarka ka histori të hidhura në disa eliminatore të mëparshme, duke mbetur jashtë fazës finale të turneve të mëdhenj.Si e parashikoni të jetë Shqipëria në këtë grup kaq të fortë?Jua them me sinqeritet që Shqipëria do të jetë një nga faktorët kyç për kualifikimin, edhe pse vetë skuadrën tuaj nuk e shoh si favorite. Entuziazmi dhe fanatizmi i publikut shqiptar krijojnë atmosferë të vështirë, ndërkohë që skuadra ka bërë shumë përparime. Më kujtohet ndeshja që kemi luajtur në Tiranë më 1993, kur ishim kampionë të Evropës që prej një viti. Fituam me shumë vështirësi 1-0. Tifozeria shqiptare ishte shumë e zjarrtë, skuadra juaj luajti shkëlqyeshëm dhe mbaj mend sidomos numrin 6 (Lefter Millo). Ishte i papërmbajtshëm me inkursionet e tij. Kishte lojtarë me kualitet të veçantë, edhe pse vendi ishte në vështirësi të madh në atë kohë. Besoj se gjërat janë shumë më ndryshe tani.Sa herë keni qenë në Shqipëri?Përveç vitit 1993, kam qenë edhe më 2002, si trajner i Brondbit. Jemi ndeshur me Dinamon, në Champions League. Ndeshjen e parë e fituam me shumë vështirësi në Danimarkë, 1-0, në fundin e lojës, ndërsa në Tiranë e patëm më të lehtë dhe fituam 4-0. Pa dyshim që kombëtarja shqiptare është e një niveli shumë më të lartë, sepse edhe lojtarët kanë shtegtuar nëpër Evropë.Njihni ndonjë prej tyre?Jo, sepse jam tepër i impenjuar me detyrën e trajnerit te Getafe dhe në Spanjë nuk luan ndonjë shqiptar, ndryshe do ta kisha njohur. Ma ha mendja se vëllai im, Brajan, duhet të njohë patjetër, sepse ai është analist sportiv në televizion dhe, nisur nga fakti që Danimarka ka luajtur dhe do të luajë prapë me Shqipërinë, mendoj se ai duhet t’i ketë parasysh të paktën disa nga lojtarët tuaj. Besoj se do të jetë në Tiranë kur Danimarka të luajë atje.E keni në plan të uleni në pankinën e Danimarkës?Tani jo, sepse ndihem shumë mirë në Spanjë te Getafe. Po fitoj eksperiencë në një kampionat të fortë, aq më tepër që po luajmë edhe në Kupën UEFA. Shpresoj që kjo eksperiencë të më vlejë edhe nëse një ditë do të marr drejtimin e kombëtares. Unë e dua shumë kombëtaren daneze dhe, nuk kam pse ta fsheh, po më bëhet shumë qejfi që ju tani keni të veshur fanellën e Danimarkës. Mikael LaudrupMikael Laudrup, i lindur më 15 qershor 1964, është një nga futbollistët më të mëdhenj të Danimarkës, që fatkeqësisht nuk luajti në Euro ‘92, për shkak dëmtimi. Megjithatë, ai ka fituar titullin kampion i Evropës më 1992, me Barcelonën e famshme të Johan Krujfit, si dhe Kupën Interkontinentale me Juventusin, më 1985, pa llogaritur trofe të shumtë në kompeticionet kombëtare.Euro ‘92“Kam luajtur me klube të mëdhenj në Itali e Spanjë, kam fituar trofe kombëtarë e ndërkombëtarë, por peng më mbetet që nuk isha në Euro ’92, ku Danimarka u shpall kampione e Evropës. Isha i dëmtuar dhe mungesa në Suedi më solli edhe dhimbje shpirtërore. Ngushëllohem me faktin që një person i familjes Laudrup, vëllai im Brajan, ishte atje dhe luajti rol në fitoren e skuadrës sonë”.