E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia pakt miliardësh me serbët, unitet kundër Kosovës

• Rusia ka përforcuar mbështetjen për Serbinë dhe vullnetin e saj në çështjen e Kosovës, me premtimin se një ditë ajo do t’i kthehet përsëri Serbisë.Dimitri Medvedev, njeriu që besohet se do të jetë pasardhësi i Putinit si Presidenti i Rusisë, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vizituan dje Serbinë, një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ata janë dy zyrtarët e parë në nivel të lartë të huaj që vizitojnë Beogradin pas djegies së ambasadën amerikane dhe mësymjeve në qendrat e tjera perëndimore në kryeqytetin serb. “Qëllimi kryesor i vizitës sonë të shkurtër është shprehja e mbështetjes për Serbinë në këtë kohë të veprimeve të paligjshme dhe shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, tha Medvedev duke shtuar se “Qëndrimi ynë është se Serbia është një shtet i vetëm, që ka nën juridiksionin e vet gjithë territorin”. Medvedev tha se Rusia ka rënë dakord që të bashkërendojmë përpjekjet në mënyrë që të dilet nga kjo situatë. Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të poshtërojnë Serbinë duke mbështetur pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm rus tha në një deklaratë se përkrahja e Shteteve të Bashkuara për shkëputjen e Kosovës është një akt i hapur cinizmi. Rusia dhe Serbia nënshkruan edhe marrëveshjen që i hap rrugën ndërtimit të një tubacioni kryesor gazi nga Rusia për në Evropën perëndimore me vlerë 1,5 miliardë dollarë. Medvedev që është aktualisht kreu i gjigandit rus Gazprom, ka zhvilluar bisedime me Presidentin Serb, Boris Tadiç dhe Kryeministrin Vojisllav Koshtunica. Takimi me Koshtunicën, nuk u zhvillua në Kryeministri, por në një vilë në Beograd. Kryeministri Koshtunica tha se “nuk do të ketë stabilitet as në rajon e as në botë derisa vendimi i pavarësisë së Kosovës të anulohet”. Ndërsa Medvedev theksoi se qëndrimi i Rusisë është se pavarësia e Kosovës është një akt që shkel sovranitetin dhe të drejtat bazë të Serbisë, duke kërcënuar në të njëjtën kohë sistemin ndërkombëtar të sigurisë dhe ligjet ndërkombëtare.Njohja e Perusë Qeveria e Perusë ka vendosur për njohjen me rekomandim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Sipas një komunikate të kësaj ministrie, “Peruja ka promovuar zgjidhjen që do të arrihej nëpërmjet negociatave në mes të palëve dhe konsideron se ka rezultuar një situatë unike që është zhvilluar një procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë”.Rogozin tërheq kërcënimet Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Dmitrij Rogozin i ka tërhequr kërcënimet mbi mundësinë e përdorimit të forcës nëse NATO dhe BE do t’u kundërviheshin Kombeve të Bashkuara për Kosovën. “Ne nuk synojmë të intervenojmë ushtarakisht në një qendër të krizës larg nga kufiri ynë. Qëndrimi i Rusisë do të jetë që ta përdorë autoritetin e saj politik dhe moral, autoritetin absolut që e kanë rusët në Ballkan, përfshirë edhe Serbinë, për të mbrojtur të vërtetën”, tha Rogozin.Protesta në veri, digjet flamuri i BE-së  Mbi 2000 serbë kanë protestuar kundër pavarësisë së Kosovës dje, duke i vënë flakën flamujve të BE-së. Protestuesit janë mbledhur me pankarta “Kosova është Serbi”, në ditën e tetë të protestave. Protestuesit kanë djegur edhe një poster të Sekretares amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs me presidentin pro perëndimor, Boris Tadiç. Sipas autoriteteve kosovare po dje rreth orës 15:50 rreth 100-150 persona, të dyshuar si rezervistë nga Serbia dhe të pakënaqur me statusin e Kosovës, kanë ardhur nga Medvegja deri tek Porta numër 4 në Mutivodë dhe kanë sulmuar me gurë dhe shishe me ujë policët të cilët ishin aty. Rreth dy orë më pas, njësiti i KFOR-it, i cili ishte në gatishmëri ka zëvendësuar njësitin special te SHPK-së. Masa e njerëzve, e ardhur nga ana serbe, ishte e organizuar, ata kishin kamion të mbushur me gurë, zjarrfikës dhe ndihmën e parë. Gjatë kësaj proteste janë lënduar 10 policë, 9 nga të cilët janë pjesëtarë të njësitit special, ndërsa njëri është punonjës i Policisë Kufitare. Njësiti special ishte i detyruar që në dy raste ta përdorë gazin lotsjellës në mënyrë që të zmbrapsë sulmin e protestuesve, të cilët ishin jashtëzakonisht agresivë, thuhet në një komunikatë për opinion të lëshuar në orët e vona të pasdites së sotme nga Zyra për informim pranë SHPK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›