E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo shkërmoqet nga Lahti

 

Leonard Karaj

Dinamo, me një këmbë jashtë Ligës së Evropës që në ndeshjen e parë të turit të parë të këtij kompeticioni. Blutë e kryeqytetit janë shpartalluar në Finlandë nga FC Lahti, skuadër relativisht me më pak eksperiencë përsa i përket Kupave të Evropës. Skuadra e Muçës kanë ruajtur atë formacion, të cilin trajneri i Dinamos e kishte provuar dhe të shtunën e kaluar ndaj Vllaznisë në Shkodër. Vetëm me një ndryshim, Allmuça në vend të Gentian Muçës, i cili nuk ka shkuar me skuadrën për arsye të refuzimit të vizës nga ambasada daneze. Goditja e vendasve ka qenë e shpejtë. E thënë ndryshe, goli i Lahtit ka ardhur atëherë kur Dinamo ende nuk ishte nxehur mirë dhe përshtatur me fushën. Megjithatë ky gol i Vieiras, vetëm në të 2’, nuk e ka tulatur skuadrën. Brkiç, Bakaj, Allmuça e Kuli i afrohen më shpesh portës së Lahtit, derisa në të 28’ ka ardhur dhe goli i barazimit, që ka mbajtur firmën e mesfushorit kavajas. Pas golit kanë qenë dhe tre mundësi të tjera për blutë me Brkiç e Bakaj, por avantazhi nuk sigurohet nga blutë. Përkundrazi, atëherë kur të gjithë kanë fjetur mendjen se pjesa e parë do të mbaronte në barazim 1-1, ka ardhur avantazhi i Lahtit, me autor Moilanen, i cili ka shfrytëzuar një krosim të saktë të yllit finlandez, Jari Litmanen. Ajo që duhet thënë është fakti se ndryshe nga çfarë kishte thënë një ditë më parë trajneri Muça se Litmanen luan vetëm 20 minuta nuk ka rezultuar e saktë. 38-vjeçari është aktivizuar për 90 minuta, ka qenë “truri” i të gjitha aksioneve finlandeze, ndërsa mbrojtja dinamovite e ka frenuar herë pas herë me faulla. Dhe në pjesën e dytë, Litmanen është inspiruesi i aksioneve që kanë sjellë golin e tretë me autor Harën dhe më pas gjithçka e ka mbyllur Vieira. Dhe atëherë kur Bakaj e Haxhibuliç, por dhe Plaku kanë tentuar të shënojnë golin e dytë, i cili do t’u jepte një shans bluve për të menduar kualifikimin në ndeshjen e kthimit, ka qenë më shumë se e vështirë. Muça ka ndërhyrë në fillimin e pjesës së dytë, teksa ka aktivizuar Sozën dhe Plakun në vend të Kulit e Brkiç, që nuk dukej se po ecnin keq në pjesën e parë. Më vonë dhe Sinën për Putinçanin, por të tria zëvëndësimet, me përjashtim të Plakut, nuk kanë qenë të goditura për Muçën, sepse humbja e thellë nuk është shmangur. Më tej akoma nuk është shmangur shpartallimi, ndonëse 24 orë përpara ndeshjes ka patur optimizëm në kampin dinamovit. Veçse Lahti ka rezultuar një “kockë e fortë” për blutë. Një skuadër e përgatitur mirë fizikisht, e cila, edhe duke qenë në kampionat, ka ditur ta përballojë mirë Dinamon e Muçës, e cila kështu ka humbur një shpresë për kalimin e turit të parë. Ndoshta mrekullia mund të ndodhë në kthim, por duket e vështirë.

FC Lahti-Dinamo 4-1

Shënues:
Pires Vieira 2’, 86’, Moilanen 43’, Hara 52’/ Kuli 28’
Karton i verdhë: Diop (D)
Gjyqtarë: Petur Reinert (kryesor)
Jon Kari Brekuni dhe Jens Albert Simonsen (anësorë)
Arbitër i 4-t: Eiler Rasmusen

FC Lahti: Szentpeteri, Haara, Toivomaki, Moilanen, Eerola, Fofana (Hieni 61’), Pires Vieira (Lansitalo 87’), Litmanen, Hietanen (Shala 46’), Vaninen, Korte
Pankina: Tuomi, Shala, Huhka, Lansitalo, Hieni, Kempinen, Rantanen. Trajner: Ilka Makela
Dinamo: Kotorri, Vrapi, Pisha, Kuli (Sosa 46’), Poçi, Allmuça, Hadzibuliç, Brkiç (Plaku 46’), El.Bakaj, Putinçanin (Sina 63’), Diop
Pankina: Hoxha, Sina, Brahja, Ferraj, Fagu, Plaku, Sosa. Trajner: Shkëlqim Muça

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›