Vlorë, mbytet 52-vjeçarja
VLORE – Një 52-vjeçare gjendet e mbytur në det, në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë. Disa kalimtarë kanë vënë re që në orët e para të mëngjesit të djeshëm trupin e palëvizur të një personi. Ata sinjalizuan menjëherë policinë, e cila shkoi në vendin e ngjarjes dhe konstatoi trupin e gruas pa jetë, që ndodhej rreth 100 metra larg bregut. Trupi iu dorëzua më pas morgut, ku u deshën disa orë që familjarët e saj ta identifikonin. Fillimisht blutë kontrolluan gjithë bregun përreth, me qëllim për të gjetur ndonjë send të lënë prej saj. Ata pyetën edhe disa pushues, të cilët sapo kishin dalë për plazh, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të japë ndonjë informacion të saktë. Identifikimi është bërë vetëm kur të afërmit e viktimës janë paraqitur në morg. Sipas policisë, viktima është Fatmira Ribaj, banore e zonës së Ujit të Ftohtë. Familjarët deponuan se prej kohësh ajo vuante nga depresioni. Policia nisi hetimet për këtë ngjarje për të zbardhur dhe motivet e vdekjes së gruas. Gjatë ekspertizës së kryer, rezultoi se në trupin e saj nuk kishte shenja dhune. Dyshohet që viktima të ketë pësuar ndonjë infarkt në momentin e kontaktit me ujin e ftohtë. Kjo, pasi ajo nuk kishte pirë ujë, çka hedh poshtë mundësinë e mbytjes së saj në rrethana të tjera. q.b