E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Burrelit kërkon 25 vjet burg për Luftar Reçin

 

BURREL - Prokuroria e Matit kërkoi dje 25 vjet heqje lirie për Luftar Reçin, i akuzuar për vrasjen e Maksim Lalës. Përfaqësuesi i akuzës, Naim Tota, në këtë seancë ka paraqitur provat e organit të akuzës, duke këmbëngulur se përgjimet telefonike, dëshmitarët dhe prova të tjera kanë faktuar krimin e ndodhur në maj të vitit 2005. Gjykata nuk ka pritur më tej ardhjen e shtetases bullgare, por ka vijuar procesin gjyqësor në ngarkim të Reçit. Prokuroria ka faktuar para trupit gjykues se më 10 maj Luftar Reçi e Maksim Lala udhëtonin së bashku nga Tirana në drejtim të Burrelit dhe në vendin e quajtur sektori “C” është ekzekutuar Lala, ish-shoku i ngushtë i të pandehurit. Dëshmitarja kyçe e këtij procesi, e dashura e Lalës, por edhe tabulatet e shumta telefonike kanë provuar se viktima është shprehur se udhëtonte së bashku me Luftar Reçin në drejtim të Burrelit. I akuzuari, edhe në këtë seancë ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, se ai nuk ka qenë nën shoqërinë e Maksim Lalës ditën e vrasjes së tij, por qëndronte në Pogradec bashkë me të dashurën e tij bullgare. Duke iu referuar fakteve të grumbulluara, prokurori Tota i ka kërkuar trupit gjykues 25 vjet heqje lirie për Luftar Reçin dhe nipin e tij, Taulant Elezi, nën akuzën e vrasjes së qëllimshme.                                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›