Starton kupa e Shqipërisë në bilardo
SARANDE - Buzë shëtitores së Sarandës, në një sektor të Plazhit të Centralit, startoi mbrëmjen e së mërkurës për të katërtin vit radhazi Kupa e Shqipërisë “Steka e artë” në bilardo, organizim i Federatës së Bilardos dhe bashkisë. Dhjetëra spektatorë ishin mbledhur pranë shëtitores, pjesa më e madhe kureshtarë për të ndjekur ceremoninë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, prezantoi ekipet pjesëmarrëse të Tiranës, Sarandës dhe Strugës. Kupa e Republikës për këtë vit do të zhvillohet në disa qytete, si Himara, Shkodra, Elbasani, Vlora, Fieri etj., dhe do të përfundojë në qytetin e Strugës, ku do të marrin pjesë fituesit nga garat e bilardos të organizuara në Shqipëri. Pjesëmarrësit i përshëndeti zëvendëskryetari i bashkisë Sarandë, Robert Maçi, përfaqësues të komunës së Strugës etj. sh.d