E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo shpërthen në Vlorë, rreh “vendçe” Flamurtarin



Dinamo nuk fal kudo që të luajë. Duke treguar qartë se këtë edicion nuk ka asnjë ngjashmëri me skuadrën tjetër kryeqytetase, Tirana. Pas tre golave të shënuar në fitoren bindëse 3-1 kundër Kastriotit në Krujë, sërish tre të tjerë në triumfin absolut 3-0 ndaj Flamurtarit në Vlorë. Një Dinamo prepotente e aftë të shkatërrojë këdo që i del përpara. Një “nëndetëse” me stof kampioni dhe një nga pretendentet e mëdha për fitimin e trofeut të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit. Një gol në pjesën e parë të realizuar nga Elis Bakaj në minutën e 37-të, goli i tij i dytë sezonal, dhe dy të tjerë të shënuar nga Fatjon Sefa në të 58’ e Sebino Plaku në të 64’, dëshmuan forcën e madhe sulmuese të skuadrës që ka shënuar më shumë gola në dy javët e para të këtij sezoni, 6. Tre golat e mrekullueshëm të realizuar nga sulmuesit blu kanë argëtuar edhe trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe, por dhe që kanë larguar tifozët vlonjatë që kishin mbushur stadiumin e tyre pas fitores 3-1 të Flamurtarit në javën e parë me Tiranën në kryeqytet. Në javën e 3-të, Dinamo luan për herë të parë në shtëpi përballë Teutës, që nga ana saj fitoi me Kastriotin. Vllaznia nga ana e saj shijoi fitoren në minutën e 93-të kundër Apolonisë (1-0) në “Loro Boriçi”, falë golit të kosovarit Ilir Nallbani. Në javën e parë, Vllaznia humbi 2-0 me Besën e Kavajës.

Gramozi, seria pozitive vazhdon

Gramozi doli për herë të dytë i pamundur në aventurën e tij në Kategorinë Superiore, duke marrë një tjetër pikë të vlefshme në transfertën e vështirë të Laçit (1-1), në një takim që skuadra kolonjare e mbylli me dhjetë lojtarë pas largimit me të kuq të Klodian Seminës. Sadiku i Gramozit goditi transfersën, përpara se të anulohej një gol i Norës. Laçi shënoi nga pika e bardhë me anë të Norës (55’), por pa kaluar dy minuta, kosovari Valdet Hyseni realizoi golin e barazimit 1-1 (57’). Teuta regjistroi fitoren e parë sezonale ndaj Kastriotit (2-1), falë një dopjetë të realizuar, nga një në çdo pjesë lojë, nga sulmuesi i talentuar beratas Vangjel Mile në të 16’ dhe 84’, ky fundit me penallti. Për Kastriotin shënoi golin e nderit Orjand Abazaj (27’).

Besa “arrogante”, nuk fal pikë as në Peqin

Besa rishfaqi portretin e një pretendenteje të madhe të sezonit 2009-2010, teksa formacioni i Shpëtim Duros fitoi 2-1 në Peqin me Shkumbinin vendas, një takim i ndjekur “live” nga vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe i “survejuar” nga forca të shumta policore. Golat në fitoren e dytë rresht të kavajasve mbajnë firmat e talentit Sokol Cikalleshi në minutën e 3-të dhe të Meglid Mihanit në të 63’, ku i fundit i ndihmuar edhe nga një devijim i topit nga ana e lojtarit të Shkumbinit, Ahmed Mujdragiç. Në minutën e 91-të, Erjon Mustafaraj shënoi golin e nderit për peqinasit, të cilët e mbyllën takimin me dhetë lojtarë pas ndëshkimit më kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të Roland Dervishit.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›