E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel mirëpret ftesën e Polonisë



Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se e mirëpret si një “sinjal ripajtimi” ftesën e Polonisë dërguar asaj për të marrë pjesë në përvjetorin e 70-të të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Merkel me këtë rast ka thënë se 1 shtatori është “ditë vajtimi për vuajtjet që nazistët sollën në Europë”. Kancelarja Merkel do t’i bashkohet liderëve rusë dhe polakë në mesin e shumë liderëve tjerë në ceremoninë, që mbahet të martën në Gdansk. Nazistët e Gjermanisë sulmuan Poloninë më 1 shtator të vitit 1939, sulm ky që shënoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

SHBA
Varroset me nderime senatori Kenedi
Senatori amerikan Eduard Kenedi u varros dje në varrezat e rezervuara për figurat e shquara kombëtare në Uashington. Kenedi u varros afër varreve të vëllezërve të tij të vrarë, presidentit Xhon Kenedi, që u qëllua për vdekje më 1963 dhe Robert Kenedit, që u vra më 1968 derisa zhvillonte fushatën për president. Varrimi në Varrezat Kombëtare Arlington, bëhet pas një ceremonie mortore në vendlindjen e Kenedit në Boston, ku presidenti Barak Obama mbajti fjalën e tij të rastit. Ligjvënësi demokrat vdiq në moshën 77 vjeçare, pas një beteje me kancerin në tru.

Afganistan
Abdullahu vazhdon akuzat për mashtrime
Rivali kryesor i Hamid Karzait për presidencën afgane, ka bërë akuza të reja lidhur me shkallën e atyre që quan “mashtrime masive të orkestruara nga shteti” në zgjedhjet e fundit.
Rezultatet e reja që pritet të dalin pritet të konfirmojnë kryesimin e zotit Karzai, por kundërshtari i tij kryesor, Abdullah Abdullah, këmbënguli se do të kishte qënë shumë përpara sikur zgjedhjet të kishin qënë të ndershme. Në një intervistë Abdullah tha se kutitë e votimit ishin mbushur me qindra mijëra vota për zotin Karzai dhe se nuk do të punojë kurrë me të.

Kabul
Në gusht u vranë 45 ushtarë amerikanë
Një ushtar amerikan është vrarë të premten nga një sulm me bombë në Afganistan, duke e bërë gushtin muajin më vdekjeprurës për forcat amerikane në pothuaj 8 vjet të luftës afgane. Vdekja e fundit, ngriti në 45 numrin e ushtarëve të vrarë në këtë muaj në Afganistan, një më shumë se sa në korrik. Të paktën 732 ushtarë amerikanë raportohet të jenë vrarë në Afganistan që nga invazioni i udhëhequr nga SHBA në vitin 2001. ndërkohë dje, një person hodhi veten në erë pranë trupave të NATO-s në Afganistanin jugor, duke vrarë dy civilë afganë dhe plagosur më shumë se 20 të tjerë.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›