Dinamo shtyn Laçin drejt Europës
Java e 31-të e Kategorisë Superiore ka “nxehur” garën për një vend në kupat e Europës. E përfituara e radhës është Laçi, që falë fitores 4-2 në fushën e Dinamos, ngjitet në vendin e tretë dhe e sheh veten fare pranë rezultatit historik: kualifikimit për në Europa League. Me titullin në kasafortë blutë kanë luajtur aktin e gjashtë të teatrit futbollistik në fazën e tretë të kampionatit. E pamotivuar dhe pa dëshirë për të luftuar në fushë, skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça ka pësuar humbjen e gjashtë radhazi, duke u dhuruar kundërshtarëve tri pikë me mjaft peshë. Nora dhe Vuçaj, me nga dy gola secili, kanë firmosur triumfin e laçianëve që, kur mungojnë edhe dy ndeshje nga mbyllja e sezonit, mund të pretendojnë edhe vendin e dytë në kampionat. Kjo edhe për faktin se ndeshja më e rëndësishme e javës, e luajtur në Kavajë ndërmjet Besës dhe Tiranës, ka përfunduar në barazim 1-1. Me këtë rezultat, verdhezinjtë kanë ruajtur përkohësisht vendin e dytë në klasifikim, por pika e marrë nuk jep garanci matematike. Skuadra e Shpëtim Duros është ngjitur në kuotën e 50 pikëve, ndërsa ndjekësit e tyre më të afërt (Laçi dhe Tirana) kanë dy pikë më pak. Takimi u zhbllokua vetëm në minutën e 83-të, me një 11-metërsh të shndërruar në gol nga Daniel Xhafaj, ndërsa miqtë kthyen baraspeshën vetëm 3 minuta më pas me Sebino Plakun. Në anën tjetër, barazimi mund të cilësohet si një rezultat pozitiv për Tiranën, pasi ai është arritur në një fushë të vështirë. Megjithatë, bardheblutë kanë zbritur në vendin e katërt në renditje dhe rrezikojnë seriozisht pjesëmarrjen në kupat e Europës, pasi koha luan kundër tyre: ata kanë pikë të barabarta me Laçin, por ndodhen një shkallë më poshtë prej golavarazhit më të dobët.
Ndeshjet e djeshme kanë qenë mjaft të rëndësishme edhe për “zonën e ftohtë” të tabelës. Flamurtari dhe Vllaznia kanë bërë nga një hap të rëndësishëm drejt qëndrimit në elitë, edhe pse këto dy skuadra ende nuk mund të cilësohen të shpëtuara. Vlonjatët u treguan “të pamëshirshëm” ndaj Apolonisë, duke mos i toleruar fierakët. Fitorja 1-0 e skuadrës së Gugash Maganit u vendos nga rrjeta e realizuar nga Migen Memelli në minutën e 49-të, nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërkohë, duke respektuar të gjitha parashikimet, shkodranët morën pikët e plota në fushën e Gramozit, që i ka dhënë lamtumirën Superiores vetëm pas një viti qëndrimi. Megjithatë, transferta e kuqebluve në Ersekë nuk ka qenë një shëtitje. Të besuarit e Edi Martinit e kanë pasur mjaft të vështirë ta përmbysin avantazhin e përkohshëm të kolonjarëve me Sadikun: Mrvaljeviç barazoi rezultatin në të 77-ën, ndërsa rrjeta e fitores u realizua nga Shtubina, vetëm 60 sekonda përpara mbylljes së kohës së rregullt. Tani Vllaznia mund të përgatitet e qetë për finalen e Kupës së Shqipërisë, kur më 9 maj do të përballet me Besën për trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Ashtu siç pritej, Skënderbeu ka fituar me Shkumbinin dhe ka ende shpresa të mos largohet nga elita. Duke përfituar nga rezistenca e vakët e peqinasve, korçarët triumfuan me shifrat 3-1, me gola të Guerrib, Likës dhe Malindit, ndërsa rrjeta e Branicës ishte thjesht për statistikë. Kastrioti merr pikët e plota me Teutën, në duelin direkt për mbijetesën. 3-0 ishte rezultati final i ndeshjes, falë golave të Hoxhës, Kalarit dhe Gocajt.
#