Dinamo sot miqësore me Olimpikun
Sot në orën 18:30 do të zhvillohet testi i radhës për të besuarit e trajnerit Zhupa, kundër Olimpikut të Tiranës, në fushën e këtyre të fundit
Blutë e kryeqytetit dje kanë zhvilluar stërvitje normalisht dhe stafi teknik është munduar të punojë me skuadrën për të rregulluar edhe ato defekte që u panë në miqësoren e fundit me Ilirinë. Ndërkohë që më parë ishte programuar një test tjetër, por këtë herë me Partizanin.
Kjo gjë nuk u arrit për shkak se nuk është gjetur dot mundësia për ta luajtur atë në stadiumin Selman Stërmasi, duke i hequr kështu mundësinë shumë sportdashësve për të parë këtë derbi para se të fillojë kampionati.
Sot skuadra nën drejtimin e trajnerit Zhupa do të zhvillojë seancën e radhës në orën 10:00 si zakonisht në ambientet e ish-komleksit Dinamo dhe më pas mësohet se është programuar një test kundër Olimpikut të Tiranës. Ndeshja do të zhvillohet në fushën e këtyre të fundit dhe do të startojë në orën 18:30.
Duket se gjatë kësaj kohe, stafi teknik i bluve nuk kërkon të humbasë kohë, duke pasur si qëllim zhvillimin e miqësoreve për të vëzhguar në mënyrë të vazhdueshme formën e futbollistëve që janë pjesë e skuadrës.
Por e rëndësishme është që gjatë këtyre testeve të shihen edhe pika e dobëta dhe mundësia për ti përmirësuar ato përpara startit të sezonit të ri.
Gjithashtu nga trajneri Zhupa do të shihet edhe forma e disa lojtarëve dhe më pas do të merret edhe vendimi se kush do të veshë bluzën e Dinamos në edicionin e ri futbollistik, pasi vetë numri 1 i stolit dinamovit është shprehur se do të ketë skarcime të disa futbollistëve.
Kjo edhe për shkak të numrit të lartë të lojtarëve që ai ka në dispozicion. Miqësorja me Ilirinë tregoi se Dinamo nuk është ende në formën e duhur, pavarësisht punës që po bëhet gjatë kësaj periudhe.
Testi i sotëm me Olimpikun është një mundësi, që mund të tregojë edhe ndonjë përmirësim në nivelin e lojës dhe harmonizimin e futbollistëve në fushën e lojës, pasi kundër fushë-krujasve kjo gjë mungoi plotësisht.
