Lushnja fiton 3-1 testin kundër Bylisit
Të besuarit e trajnerit Bano kanë fituar në miqësoren kundër ballshiotëve, ku të tri golat e vendasve janë shënuar në pjesën e parë të ndeshjes
Nga JULIAN KASAPI
Lushnja: Spaho, Prela, Grizha, Stojkoviç, Byxhyti,, Topi, Çela, Korreshi, R. Sula, Canka, Galica Trajner: A. Bano
Bylis: Haxho, Shoshi, Da Silva, Anaja, Tajo, Xhejms, Akin, Kendy, Ambus, Piter, Mikael Trajner: A. Canaj
Shënues: Galica 9, Çela 24, Canka 31/ Da Silva 60 (penallti)
Lushnja ka arritur të fitojë në miqësoren që u zhvillua dje në stadiumin Roza Haxhiu. Takimi startoi në orën 17:30 dhe u ndoq nga një numër i lartë spektatorësh, të cilët prisnin një paraqitje të kënaqshme të skuadrës së tyre. Në fund të sfidës, të besuarit e trajnerit Bano nuk i kanë zhgënjyer të pranishmit, pasi kanë fituar me rezultatin 3-1. Nga ana e saj skuadra e Bylisit, në përbërjet ë vet kishte shumë lojtarë të huaj, kryesisht afrikanë, të cilët janë në provë gjatë kësaj periudhe. Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë nga vendasit, duke ushtruar presion në gjysmëfushën kundërshtare. Përpjekjet e verdhjeshilëve do të shpërbleheshin në minutën e 9-të, kur sulmuesi Galica shënon golin e parë për të tijtë. Bylis është i pafuqishëm për të reaguar dhe lojtarët janë të paqartë në ndërtimin e aksioneve sulmuese. Çela për lushnjarët do të përfitonte nga momenti jo i mirë që po kalonte mbrojtja ballshiote dhe arrin të shënojë duke dyfishuar rezultatin. Të besuarit e trajnerit Bano, në pjesën e parë kanë zhvilluar një lojë me nivel të kënaqshëm dhe në minutën e 31-të nuk do të mungonte i përhershmi Canka, i cili do të realizonte edhe golin e tretë për vendasit. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, ndërsa në të dytën do të dy trajnerët do të kryenin disa zëvendësime, çka solli edhe një rënie të ritmit të takimit. Numri 1 i stolit të Lushnjës, gjatë 45minutave të dyta të lojës ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj, duke dashur të përfitojë nga ky test për të parë edhe gjendjen e tyre fizike. Golin e vetëm për Bylisin do ta shënonte Da Silva me 11metërsh në minutën e 60-të. Me këtë rezultat do të përfundonte krejt kjo miqësore, ku verdhjeshilët kanë arritur të fitojnë përballë një kundërshtari të Superligës, për të cilët duhet thënë se nuk kishin në përbërje të tyre shumë prej titullarëve të tyre. Ndërkohë që kjo është miqësorja e dytë për Lushnjën pas asaj të zhvilluar me Besën e Kavajës. Këto teste, janë shumë të rëndësishme për stafin teknik të skuadrës, të cilët kërkojnë që futbollistët të arrijnë një harmonizim të lartë në veprimet me njëri-tjetrin. Ora e startit të kampionatit nuk është e largët dhe miqësoret e ngjeshura të planifikuara kanë qenë kundër disa ekipe të një niveli cilësor. Kjo pasi stafi teknik kërkon të shohë mënyrën e lojës së ekipit, kundër kundërshtarëve që kanë kualitet në skuadër.
