Dinamo, sot nis java anti-Modrica

Pasi i dha fund nëntë ditëve maqedonase, ku zhvilloi dy ndeshje miqësore kunder Gostivarit e Kumanovës, Dinamo nis sot stërvitjet në kompleksin e saj, kur kanë mbetur më pak se një javë nga ndeshja e parë në Ligën e Kampioneve kundër boshnjakëve të Modricës. Takimi do të luhet të martën e ardhshme në "Qemal Stafa", më 15 korrik, ora 20:00 dhe do të gjykohet nga një treshe franceze me kryesor Said Enjemi. Ndihmës të tij do të jenë Frederik Kano dhe Hyg Berli.
17-herë kampionët e Shqipërisë zhvilluan një merkato tërësisht argjentinase, përfshirë edhe trajnerin Marselo Zuleta, por nga lojtarët i vetmi që ka bindur është sulmuesi Kampozano, ndërsa hije dyshimi është hedhur mbi portierin Borto, ndërsa të pakënaqur anëtarët e stafit presidencial janë për mesfushorin dhe mbrojtësin.
Zuleta është përpara një prove të vështirë pasi argjentinasit i kërkohet patjetër kualifikimi me një kundërshtar modest si Modrica, përndryshe do të ketë fatin e Ramon Kabreros, argjentinasit tjetër që dështoi para dy sezonesh në Kupën Intertoto.
Ballafaqimi i fundit i Dinamos në Ligën e Kampioneve ka qenë ai në sezonin 2002-2003, ku blutë arritën edhe të kalonin turin e parë. Dinamo fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55', Pisha 56', Qorri 76' )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).