Vllaznia fiton miqësoren me Zetën

Vllaznia fitoi miqësoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për Kupën UEFA. Skuadra e Agim Canaj fitoi 3-2 me ekipin malazias Zeta. Në formacionin fillestar në portë për Vllazninë luajti Olti Bishani, mbrojtja u përbë nga Beqiri, Belisha, Doci, Bashic, mesfusha me katërshen Osja, Nallbani, Smajli, Lika, ndërsa vijën sulmuese e përbënë Albert Kaci e Xhevair Sukaj.
Dy golat e parë u shënuan nga kundërshtarët e shkodranëve, por kuqeblutë gjetën forca të përmbysnin dizavantazhin me anë të Gilman Likës, Xhevair Sukajt e brazilianit Kleber De Lima.
Në miqësoren e parë Vllaznia fitoi 1-0 kundër Decicit. Ende në provë janë braziliani Kleber De Lima dhe një sulmues cek. Vllaznia është rikthyer në Shkodër pas përgatitjeve në Malin e Zi dhe më 17 korrik do të përballet në turin e parë eliminator të Kupës UEFA kundër ekipit slloven Koper.