E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nallbani-Bejzade me Partizanin në Kupën UEFA

Portieri i Tiranës, Blendi Nallbani dhe sulmuesi i Elbasanit, Skerdi Bejzade, do të jenë pjesë e Partizanit në ndeshjet e Kupës UEFA kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg, ndeshje që do të luhen më 17 dhe 31 korrik 2008. Partizani i bën kështu një "mbulim" të fortë katërkëndësisht të kuq të lënë bosh nga largimi i Orges Shehit (ende pa një ekip).
Për 38-vjecarin Nallbani (lojtari më i moshuar në Superligë), është rikthim i tretë te Partizani. Blendi fillimet e tij si futbollist i ka te të kuqtë në vitin 1987, madje dhe debutimin e tij zyrtar në kampionatin maksimal shqiptar, e ka po me Partizanin (17 shtator 1990). Nallbani, i cili ka dhe një eksperiencë të shkurtër në Rumani me Dinamon e Bukureshtit e Bistricën, njihet për reflekset e tij në portë.
Edhe për sulmuesin Skerdi Bejzade, fillimet sportive të cilit kanë rënjë te Dinamo (1991-1993), bëhet fjalë për një rikthim te Partizani, për të cilin ka luajtur një sezon në sezonin 2003-2004. Ish-lojtari i Vllaznisë e Elbasanit, ka gjithashtu një eksperiencë ndërkombëtare në Gjermani me Arminia Hanover. 33-vjecari njihet për potencën e grintën e tij në veprimet sulmuese.
Partizani i dha fund përgatitjeve në Pogradec, ku qëndroi gati dy javë dhe sot do të kthehet në Tiranë, ndërkohë që bëhet e ditur se është anuluar miqësorja me Peqinin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›