E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Vidohovës, tension në Gjykatën e Korçës

Procesi Familja e viktimave kundërshton gjykimin e shkurtuar

Seanca e parë gjyqësore ndaj Besim Karajt, që akuzohet për vrasjen e tre vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit është zhvilluar e tensionuar dhe me reagime të forta të familjarëve të viktimave. Kërkesa e avokatit mbrojtës, Gjergji Gjoka, që ky proces gjyqësor të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar ka sjellë menjëherë reagime të ashpra të familjarëve të viktimave. Sapo dëgjuan këtë kërkesë të avokatit mbrojtës, e cila nënkupton që në rast se merret parasysh nga trupi gjykues të pandehurit i ulet automatikisht një e treta e masës së dënimit, të afërmit e viktimave kanë reaguar ashpër duke shkaktuar tension në sallën e gjyqit. “Ne kemi tre varre në shtëpi, ndërsa avokati kërkon gjykim të shkurtuar për një kriminel. Nuk do të pranojmë, por kërkojmë dënim maksimal”, tha një nga të afërmit e familjes Mulliri. Trupi gjykues kërkoi nga policët e togës së shoqërimit që të qetësonin familjarët, por këta të fundit për disa minuta kanë vijuar protestën. Për këtë shkak, prokurori i çështjes, Edmond Shytka, ka kërkuar shtyrjen e seancës. Pas një pushimi të shkurtër, prokurori ka paraqitur aktekspertimin psikik të të pandehurit, nga i cili rezulton se Besim Karaj është i përgjegjshëm. Drejtuesi i trupit gjykues, Gjergji Koço, vendosi shtyrjen e seancës për një datë tjetër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›