E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo toleron sërish, Laçi parakalon Tiranën

TIRANE- Laçi ka lënë pas Tiranën në renditjen e Superligës, pas fitores 4-2 ndaj Dinamos, në një ndeshje pa shumë histori. Në “Qemal Stafa”, kampionët e rinj të vendit nuk kanë treguar asgjë nga potenciali i tyre, duke pësuar humbjen e 7-të radhazi në fazën e tretë. Një ecuri tepër zhgënjyese për skuadrën e Muçës, që vazhdon të bëjë ndere pafund. Vucaj e Nora shënuan nga dy gola për laçianët, ndërsa për Dinamon golat mbajnë firmën e Sefës dhe të Mallotës. Fitorja e çon Laçin në kuotën e 48 pikëve, po aq sa edhe Tirana, por rezultatet më të mira në ndeshjet direkte, bëjnë që për momentin kurbinasit të jenë për momentin në zonën e Kupave të Evropës dhe bardheblutë jashtë. Skuadra e Starovës nuk mundi të shkojë dot më shumë se një barazim 1-1 në Kavajë përballë Besës, në një ndeshje mjaft të vështirë. Takimi u zhbllokua vetëm 10 minuta para përfundimit nga Daniel Xhafaj me penallti, që kaloi në avantazh Besën. Në minutën e 86-të, Sebino Plaku realizoi me kokë golin e barazimit për Tiranën. Ndërkohë, është bërë më e fortë lufta për zonën e ftohtë të klasifikimit. Kastrioti ka mundur 3-0 Teutën dhe është ngjitur në kuotën e 39 pikëve, duke lënë në zonën e rënies Apoloninë. Kjo e fundit u mund 1-0 në Vlorë nga Flamurtari dhe tashmë duket skuadra më e rrezikuar për t’iu bashkuar Gramozit në Kategorinë e Parë. Fitore të rëndësishme arriti edhe Skënderbeu, që mposhti 3-1 në Korçë Shkumbinin, duke u ngjitur në kuotën e 41 pikëve. Në takimin e luajtur në Ersekë, Vllaznia mori 3 pikët, duke mposhtur 2-1 Gramozin, i cili edhe në këtë takim mbeti me 10 vetë. Java e parafundit e Superligës do të luhet më 15 maj, ndërkohë që më 9 maj do të luhet finalja e Kupës mes Besës dhe Vllaznisë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›