Dinamo, transferta e Gramshit, një shans që nuk duhet shpërdoruar
Blutë do të luajnë transfertën e parë në këtë kampionat, ku do të kërkohet kthesa dhe të lihet pas krahëve humbja në shtëpi e pësuar fundjavën e kaluar
Kategoria e Parë nuk do ta ketë luksin për ta bërë pushim këtë fundjavë, edhe pse Kombëtarja jonë do të luajë ndeshjet për Eleminatoret e Botërorit 2014. Në këtë mënyrë, asnjë skuadër nuk po humb kohë për tu përgatitur për ndeshjet e radhës.
Përjashtim nuk bëjnë as të besuarit e trajnerit Zhupa, i cili edhe dje në seancën stërvitore ka vazhduar me përgatitjen e skuadrës për transfertën e vështirë me Gramshin. Një ndeshje kjo delikate për disa arsye. Së pari sepse gramshiotët janë me moralin në maksimum pas fitores në Burrel, por edhe për faktin se luhet në fushën e tyre dhe për blutë është hera e parë që luajnë një transfertë në Kategorinë e Parë.
Me interes pritet të shihet reagimi i skuadrës në një fushë jashtë kryeqytetit, ku dihet lufta sportive është e lartë, pasi shumë skuadra në këtë kategori kanë si objektiv fitoret në shtëpitë e tyre dhe normalisht që do të japin maksimumin. Po ti shtosh edhe luhatjet që Dinamo tregoi në javën e parë të kampionatit bën të besosh, se kundër Gramshi do të jetë një takim që do të duhet shumë mund, nëse të besuarit e trajnerit Zhupa do të duan të marrin tri pikët e para.
Por pavarësisht këtyre, dinamovitët mbeten përsëri skuadra që të tremb, kjo edhe për shkak të emrit të klubit, edhe pse pozitat nuk janë ato të disa viteve më parë. Por edhe përqendrimi në skuadër është akoma më i lartë, pasi po punohet për të eliminuar gabimet që u vunë re gjatë takimit me Mamurrasin. Një fitore kundër Gramshit do të ishte kurorëzimi me sukses i kësaj jave përgatitje, por edhe i asaj periudhe të lodhshme gjatë fazës përgatitore.
Tri pikët në Gramsh do të ishte një shans që Dinamo të tregojë vlerat, të cilat nuk i mungojnë brenda ekipit dhe për të rritur moralin për takimet që do të vijnë në vijim. Dinamo nuk ka më emrat e dikurshëm, por të tjerë, të rinj dhe me dëshirë për të fituar, me aftësi që të lënë të besosh se shumë shpejt kjo skuadër do të rikthehet atje ku e ka vendin, në Superligë. Tashmë humbja me Mamurrasin është lënë pas krahëve dhe përpara bluve qëndron sfida me Gramshin, nga ku do të kërkohet edhe kthesa.
