E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo vazhdon marshimin, Tirana i falet Plakut

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Tre ndeshjet e radhës së javës së 19-të të Kategorisë Superiore Shqiptare, që startoi të premten, me ndeshjen Shkumbini-Flamurtari (2-1), nuk dhuruan surpriza. Tirana, 24 herë kampione, nuk gaboi ndaj Teutës. Takimin që u zhvillua në “Niko Dovana” ekipi bardheblu e dominoi totalisht. Sulmuesi i ri, i sapoardhur nga Dinamo, Sebino Plaku, i dha tri pikë të arta ekipit të Alban Tafajt. Ndërkohë një fitore më të lehtë arriti edhe udhëheqësi i këtij kampionati, Dinamo. Blutë nuk gabuan ndaj ekipit të Skënderbeut. Ekipi i Muçës realizoi plot tre gola ndaj ekipit të përgjysmuar (Komisini i Apelit dha dje vendimin përfundimtar për “rebelët”) korçarë. Ndërsa në Krujë ekipi i Kastriotit ka marrë një fitore të dyfishtë ndaj kolonjarëve të Agim Canajt. Krutanët, përpos tri pikëve të marra arritën të largonin një rival direkt (për sa i përket zonës së ftohtë) siç është skuadra e Gramozit. ndërkohë sot java e 19-të do të ulë siparin me dy takimet e fundit: Apolonia – Besa dhe Vllaznia – Laçi.

Dinamo-Skënderbeu

Dinamo shëtiti dje në tapetin e blertë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Blutë shkatërruan 3-0 ekipin e Skënderbeut. Ky rezultat erdhi pasi kundërshtari ka qenë i dobët dhe me mjaft probleme në këtë fillimviti të ri. Skënderbeu i Korçës u ka shërbyer si një kundërshtar stërvitor kryesuesve të kampionatit, të cilët nuk janë tendosur fare, për të fituar pastër ndeshjen e javës së 19-të të kampionatit. Gentian Muça ka hapur serinë e golave dinamovitë, i ndjekur më pas nga Malakarne dhe ka trefishuar rezultatin Emiliano Vila, i ardhur në merkaton e dimrit nga Kroacia për te Dinamo. Në këtë mënyrë, Dinamo nuk u jep asnjë shans kundërshtarëve, që e ndjekin, as Tiranës, që fitoi në Durrës,1-0, por as Besës, që sot do të jetë mysafire e Apolonisë në Fier. Situatë e rëndë në kampin korçar, sepse Skënderbeu duket se po e pret shumë herët biletën për të zbritur një kategori më poshtë, atje prej nga erdhi këtë sezon. Trajneri i ri, Andrea Marko, ende nuk ka marrë asnjë pikë në krye të Skënderbeut.

Teuta-Tirana

Teuta priti në shtëpi Tiranën, me synimin e vetëm për të marrë 3 pikët, pas barazimit të javës së shkuar në një transfertë të vështirë, në Laç. Nga ana e tyre, bardheblutë vinin në këtë sfidë tepër të ngarkuar psikologjikisht, pas asaj që ndodhi në derbin e kaluar me Dinamon, ku kapiteni Muka u pezullua 8 javë, ndërsa trajneri Tafaj 1 vit. Në këto kushte, skuadra kampione në fuqi kishte mungesa të shumta, ndërkohë që në stolin e tyre, si trajner i parë, debutoi Nevil Dede. Ai që ka vendosur fatin e kësaj ndeshjeje ka qenë Sebino Plaku, i ardhur te Tirana në merkaton e janarit, pasi la Dinamon, ku nuk po gjente hapësira aktivizimi. Pikërisht në minutën e 38-të të pjesës së parë, Plaku ka kaluar Tiranën në avantazh, duke i shokuar jo pak vendasit, që po sulmonin pareshtur drejt portës së Koronovskit. Maqedonasi ka luajtur si portier titullar, pasi Nallbani ishte i pezulluar nga kartoni i kuq që mori në derbin me Dinamon. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka qenë një dialog i gjatë mes sulmit durrsak dhe mbrojtjes bardheblu. Teuta ka sulmuar me forca të shumta, për të barazuar golin e Plakut, por pa sukses, sepse prapavija e kryeqytetasve ka qenë në lartësinë e duhur, edhe pse Andi Lila ka dalë me karton të kuq nga gjyqtari Ervis Peza në minutën e 48-të, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë në fushë. Në këtë mënyrë, Tirana merr 3 pikë të çmuara, që do të ndikojnë për mirë në moralin e bardhebluve, ndërsa Teuta lë pikë në fushën e saj. Bardheblutë do t’i kenë sytë nga Fieri sot, ku do të luajë Besa e vendit të dytë, ndaj Apolonisë vendase, me shpresën se do të ndalen kavajasit dhe të rihapet lufta për vendin e dytë në klasifikim.

Gramozi-Kastrioti

Në stadiumin e Krujës është luajtur një derbi debutuesish në superligë, mes Kastriotit vendas dhe Gramozit të Ersekës. Krutanët kërkonin të merrnin maksimumin, pasi nga ana e tyre kishin edhe faktorin fushë, ndërsa Gramozi kërkonte së paku një pikë. Por, planet e kolonjarëve i ka prishur kapiteni gjirokastrit i Kastriotit, Shameti, që në fundin e pjesës së parë, përmes një goditjeje me kokë, ka shënuar në portën e Ametlliut, gol që ka mbetur i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të ndërkombëtarit Sokol Jareci, që brenda dy ditësh ka gjykuar dy ndeshje, të premten në Peqin dhe të shtunën në Krujë. 3 pikë me shumë vlera për skuadrën e drejtuar nga Ramadan Ndreu, që e rendit atë në mesin e artë të klasifikimit. Kujtojmë se në këtë ndeshje ka debutuar në radhët e Kastriotit edhe portieri Ilion Lika, i cili, një javë më parë, në Peqin, e kishte bërë këtë gjë me Vllazninë e Shkodrës. Por mosrënia dakord me presidentin kuqeblu, Valter Fushaj, për detajet e kontratës, e detyruar ish-portierin e kombëtares të ndryshonte destinacion, duke iu bashkuar skuadrës krutane. Nga ana e tij, Gramozi mbetet sërish në fund, duke i bërë shoqëri Flamurtarit, i cili, nga ana e vet ka edhe një ndeshje të prapambetur, nëse mund ta konsiderojmë kështu, atë që do ta përsërisë me Besën, në datën 3 shkurt.

Sot

Sot çiftet Apolonia-Besa dhe Vllaznia- Laçi do të ulin siparin e javës së 19-të të Superligës Shqiptare. Emrat e ekipeve që do të zbresin në fushë tregojnë se priten 90 minuta mjaft të nxehta. Besa përballë do të ketë një ekip të fortë si Apolonia. Ekipi fierak edhe pse i janë larguar shumë lojtarë gjatë sezonit të merkatos së janarit, pritet të bëjë një paraqitje të mirë për shkak se di fare mirë të shfrytëzojë faktorin fushë. Ndërsa në çiftin tjetër shkodranëve të Vllaznisë u duhen tri pikët në shtëpi. Ndaj Laçit ekipi i Edi Martinit duket se nuk do të ketë të lehtë që të arrijë maksimumin për vetë faktin se ekipi kurbinas zhvillon një lojë mjaft të mbyllur jashtë shtëpisë së tij.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›