Vdes në spital 58-vjecarja, Vasili pezullon mjekët
Autori i Lajmit: Redaksia
Vdekja e pazakontë e 58-vjeçares, Drita Gixhari ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Mësohet se vetë ministri Petrit Vasili ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të mjekëve që kanë ndjekur sëmundjen e pacientes. Ministri Vasili ka kërkuar hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje, zbardhjen e çdo detaji deri në fund. Ndërkohë që më herët djali i viktimës ka denoncuar në polici se përgjegjësit kryesorë për vdekjen e nënës së tij janë mjekët roje në urgjencën e QSUT. Një grua, 58-vjeçare ka humbur jetën në urgjencën e QSUT-së, pasi kishte mbërritur para dy netësh me dhimbje barku. Drita Gixhari është viktima. Bashkim Gixhari, djali i viktimës denoncon dhe akuzon mjekët për pakujdesi dhe neglizhencë. “Është plotësisht neglizhencë e mjekëve roje që kanë qenë mbrëmë” - shprehet djali i viktimës. Gixhari ka treguar orët e fundit të jetës së nënës së tij. Ai kishte shoqëruar të ëmën në urgjencën e QSUT nga mesnata e së premtes, pasi kishte pasur dhimbje barku. Djali tregon se që në momentin kur e ëma është shtruar në spital dhe deri rreth orës 11: 00 të paradites së djeshme, kur kishin vendosur ta operonin, asaj i janë bërë vetëm dy qetësues dhe asnjë mjekim i specializuar. Gixhari tregon se gjatë natës mjekët e urgjencës në QSUT-së asnjëherë nuk kishin shkuar për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të gruas, por kishin fjetur gjumë. Skandali vazhdon më tej kur mjekët roje i kanë garantuar djalit se e ëma nuk kishte asgjë se do i kalonin dhimbjet dhe se gruaja mund të kthehej më pas në shtëpi. Por nuk ka ndodhur ashtu, zemra e Drita Gixharit ka pushuar së rrahuri. I revoltuar nga sjellja neglizhente e mjekëve Bashkim Gixhari i është drejtuar komisariatit numër 4 për të ngritur padi për neglizhencë ndaj mjekëve të Urgjencës. Do të jetë autopsia, e cila do të përcaktojë saktë shkakun e vdekjes së 58-vjeçares.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2010