Durrës, kapet autori i vrasjes së trefishtë
Autori i Lajmit: Redaksia
Policia e Durrësit arreston një person si të dyshuar për masakrën që tronditi të mërkurën në mbrëmje qytetin bregdetar. Burime nga policia e këtij qyteti kanë konfirmuar se një 30-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Luan Currit, Edmond Shemsit dhe Ani Currit. Krimi ndodhi rreth orës 22 e 45 minuta të së mërkurës, në një lokal lotarish sportive, në lagjen nr. 9 të Durrësit, i cili menaxhohej nga Currët. Policia deklaroi dje paradite se i dyshuari i moshës 30-vjeçare është arrestuar në orën 05.00 të mëngjesit në qytetin e Vlorës. Më vonë ajo informoi se i arrestuari ishte Edison Çela, i cili njihej edhe me emrin tjetër Arjan Çela dhe ishte pronar i një lokali në qytetin e Vlorës. Burime të rezervuara nga policia bëjnë të ditur se kanë arritur në gjurmët e të dyshuarit si autor, pasi kishin gjetur gjurmët e tij në motorin me të cilin ishte kryer vrasja. Policia thotë se motori tip Jamaha ishte gjetur i braktisur një ditë pas vrasjes në lagjen numër 16, në periferi të Durrësit. Autori i armatosur me automatik, pasi kishte qëlluar brenda në lokal kishte mundur të largohej me një motor, me të cilin kishte mbërritur në vendin e krimit dhe e mbante të ndezur një bashkëpunëtor i tij. “Në bazë të punës disa-ditore të fokusuar në disa pista hetimi dhe në të dhënat e grumbulluara në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit, u bë e mundur të dokumentohet se Arjan Çela është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më 27 janar 2010, në lagjen numër 9”, deklaroi zëdhënësja e policisë se Durrësit në një konferencë shtypi dje paradite. Për policinë, shënjestra e vrasësit duhet të ketë qenë Luan Curri, duke u nisur nga një precedent penal i tij përpara 1 viti. Me datën 16 shkurt 2009, ai ishte dënuar nga Gjykata e Faktit në Durrës me 10 vjet burg për përdhunimin e një vajze. Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi vendimin e Faktit, por Gjykata e Lartë e kishte rrëzuar atë për mungesë provash, kështu që më datë 7 maj 2009 ai u lirua nga burgu, duke qëndruar vetëm 3 muaj pas hekurave. Por megjithatë, grupi hetimor nuk ka mundur të zbulojë ndonjë lidhje mes vrasjes së dy netëve më parë me rastin e dënimit. Ndërsa 2 viktimat e tjerë për policinë janë rastësore, pasi janë gjendur në vendin dhe kohën e gabuar. Ai mund ti ketë vrarë ata për tu ruajtur nga ndonjë reagim i tyre.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2010