Frenon De Biazi
Trajneri i Shqipërisë paralajmëron kundër euforisë: Qipro është skuadër e fortë, fitorja 6-1 nuk përsëritet më. Agresiviteti, kyçi i suksesit tonë
Pesë sulmues në kombëtare të japin përshtypjen e një skuadre tejet ofensive, megjithatë Xhani de Biazi e ka nisur me frena dore dje, teksa u bërë thirrje tifozëve ta harrojnë fitoren tenistike të tre viteve më parë, duke e konsideruar si diçka të papërsëritshme. Në miqësoren e luajtur më 12 gusht 2009 në Qemal Stafa, Shqipëria e Josip Kuzhes e shpartalloi 6-1 kundërshtarin që do të dalë edhe të premten përballë kuqezinjve, në të njëjtin stadium.
Harrojeni fitoren 6-1! Nuk është më i njëjti Qirpo dhe as e njëjta Shqipëri, iu drejtua gazetarëve në konferencën për shtyp De Biazi. Ajo ishte një ndeshje miqësore dhe që atëherë ka kaluar kohë. Qiproja ka shumë rritje, ka pasur sukses me klubet, por edhe me kombëtaren. Vjet kishte APOEL-in që eci në Champions League, ndërsa sivjet është AEL që është kualifikuar në fazën e grupeve në Europa League.
Kombëtarja qipriote ka vënë në vështirësi serioze edhe Italinë dhe kaq mjafton për ta kuptuar se kjo nuk është një ndeshje e lehtë. De Biazi është i ndërgjegjshëm se në imagjinatën e tifozëve bëhet fjalë për një ndeshje të lehtë, por ka theksuar se nuk është ashtu. Sot çdo fitore arrihet me vështirësi dhe duke luftuar shumë. E kemi studiuar kundërshtarin, besoj se tashmë ia dimë pikat e dobëta, të cilat do të përpiqemi ti shfrytëzojmë.
Loja Italiani thotë se ende nuk e ka vendosur formacionin, megjithatë e di mirë se si duhet të luajë në fushë skuadra e tij. Na duhet agresivitet dhe lëvizshmëri e madhe, për të mos e lejuar kundërshtarin të organizohet. Qipro është një skuadër që di të luajë futboll dhe pikërisht këtë nuk duhet ta lejojmë të bëjë. Janë agresivë dhe ne duhet ti përgjigjemi në të njëjtën mënyrë, tha De Biazi.
Duke mos dashur të zbulojë detaje nga formacioni, italiani u mjaftua të thoshte se Shqipërisë nuk i duhet medoemos një regjisor loje, në varësi të modulit. Ai theksoi se ajo që ka rëndësi tani është forma fizike e lojtarëve.
Lojtarët që luajnë në Ukrainë apo Zvicër janë në javën e shtatë apo të tetë të kampionatit, italianët sapo kanë luajtur javën e dytë. Edhe ata që kanë luajtur në kompeticionet evropiane besoj se gëzojnë formë të mirë, pasi e kanë nisur herët përgatitjen, tha trajneri.
Preferencat Edmond Kapllani dhe Bekim Balaj kanë shënuar të dielën me skuadrat e tyre, duke ushtruar direkt presion për tu rithirrur në skuadër dhe De Biazi pohon se askush nuk është jashtë vëmendjes. Kam thirrur Mehën dhe Kukelin sepse ata janë mesfushorë. Problemi ynë nuk është sulmi, megjithatë dera është e hapur për të gjithë dhe secili mund të thirret në të ardhmen, tha trajneri.
Megjithatë, nuk preferoi të shtonte nëse ndonjëri nga dy debutuesit do të ishte në fushë të premten. Jam i sigurt se të premten në mbrëmje do ta bëj të ditur formacionin. Nuk do të doja tu jepja sadopak informacion kundërshtarëve, tha De Biazi.
Somario
Kualifikimi është objektivi madhor, megjithatë do të thosha se edhe vendi i tretë në grup do të ishte një mrekulli e vogël. Duhet të bëjmë atë që dimë, pa e humbur kurrë shpresën
Në teori duket e lehtë të fitosh përballë skuadrave si Qipro. Po të ishte ashtu, atëherë mjafton që unë të prek ko..t për fat dhe pastaj fitojmë gjithmonë
Ujkani pësoi tre gola nga Lacio, por nuk kishte faj në asnjë prej tyre. Edhe Berisha pësoi shtatë në një ndeshje para Moldavisë, por nuk është gjithmonë faji i portierit, ndaj nuk shqetësohem
Shqipëria nuk duhet të pretendojë të bëjë lojën e Barcelonës. Ne duhet të përpiqemi që bëjmë thjesht e sa më mirë lojën tonë
Zvicra, Slloveni dhe Norvegjia janë skuadrat më të forta në letër. Zvicra ka më tepër vlera teknike, por ndeshjet në grup mund të sjellin gjithmonë të papritura
Përkthyesi… i tepërt
Përkthyesi ishte vetëm sa për formalitet në konferencën e djeshme për shtyp të Xhani de Biazit. Jo thjesht se të gjithë të pranishmit kuptonin gjithçka nga ato që thoshte trajneri, por edhe për kahun e kundërt. Italiani duket se është familjarizuar shpejt me shqipen dhe i kapte në ajër pyetjet, duke nisur menjëherë përgjigjet, pa pritur përkthimin. Nuk thonë kot që futbolli është gjuhë universale…
Stërvitja, vetëm Cana jashtë grupit
Të gjithë lojtarët e thirrur nga De Biazi kanë mbërritur dje në kompleksin Tropikal në Durrës dhe pasdite është zhvilluar seanca e parë stërvitore. Kapiteni Lorik Cana nuk është stërvitur, për shkak të dëmtimit, ndërsa të gjithë të tjerët kanë punuar normalisht. Sot në mesditë lojtarët do të kenë një takim me sponsorët e skuadrës dhe me përfaqësuesit e medias, ndërsa nesër preferohet që gjithçka të kryhet në fshehtësi, me dyer të mbyllyra.
Shqipëria nën drejtimin e De Biazit
Gjeorgji-Shqipëri 2-1
29 shkurt 2012
Golat: Kobakhidze 48, Amisulashvili / Çani 3
Shqipëria: Ujkani, Lila, Dallku, Veliu, Agolli, Bulku, Roshi, Vila, Hyka, Muzaka, Çani. U aktivizuan edhe: Shehi Osmani Bakaj Zeqiri G.Lika Sadiku
Shqipëri-Katar 2-1
22 maj 2012, Stamboll
Shënues: Bakaj 46, Bogdani 50(11-m) / Ahmed 53
Shqipëria: Shehi, Dallku, Cana, Mavraj, Veliu, Vila, Bulku, S. Lilaj, Bakaj, Çani, Bogdani. U aktivizuan edhe: Hyka, Zeqiri, Sadiku, Agolli, Lila
Shqipëri-Iran 1-0
27 maj 2012, Madrid
Shënues: Vila 60
Shqipëria: E. Berisha, Cana, Mavraj, A. Lila, Veliu, Bulku, S.Lilaj, Vila, Hyka, Bakaj, E. Çani. U aktivizuan edhe: Veliaj, Zeqiri, Osmani, Sadiku, Brahimi, Agolli
Shqipëri-Moldavi 0-0
15 gusht 2012, Tiranë
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Mavraj, Lila, Vila, Memushaj, Bulku, Bakaj, Salihi, Çani. U aktivizuan edhe: E. Berisha, Agolli, Roshi, Hyka, Zeqiri, Bogdani
